Politikani i njohur gjerman

Vuçiq e quajti Rothin urrejtës serb dhe më pas mori përgjigje brutale nga gjermani: Ti nuk je Serbia! Ti je mik i Rusisë dhe autoritar

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Michael Roth, ka kritikuar sot politikën autoritare të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili më parë e quajti atë si një urrejtës serb.

Roth ka publikuar një pjesë të fjalimit nga konferenca për media e Vuçiqit sot në rrjetin social X (Twitter) dhe i është përgjigjur se deklarata “Unë jam shteti” nuk vlen më në Bashkimin Evropian, transmeton Ballkani.info.

“Ti nuk je Serbia, president Vuçiq! Unë ju kritikoj ju, miqësinë tuaj me Rusinë dhe politikën autoritare. Nga ana tjetër, unë e dua popullin serb. Kjo (ajo që ai renditi) është pengesa më e madhe për hyrjen e vendit tuaj në BE”, ka shkruar presidenti i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman.

Vuçiq më parë iu referua debatit të nisur në Twitter nga përgjigja e kryeministres serbe, Ana Brnabiq ndaj vlerësimit të Rothit se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të drejta dhe as të lira.

“Imagjinoni Ana Brnabiq të guxojë t’i përgjigjet Rothit. Le të luajë me shtete të tjera, nuk do të luajë me Serbinë. Ai nuk është zotëri, unë e njoh mirë, serbourrejtësi më i madh në Gjermani”, i tha Vuçiq kryeministres, i cila ishte ulur në rreshtin e parë, dhe i tha që herën tjetër të përgjigjej “tre herë më zë”.

Brnabiq iu përgjigj dje në X (me rastin e ftesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për të zbatuar të gjitha rekomandimet nga raporti i ODIHR dhe vlerësimit të Rothit se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të drejta dhe as të lira), ajo u kundërpërgjigj duke pretenduar se Bundestagu nuk ka zbatuar asnjë rekomandim të ODIHR për 10 vjet në zgjedhjet gjermane.

Roth më pas deklaroi se ODIHR-i kurrë nuk regjistroi parregullsi të mëdha zgjedhore në Gjermani, rregullimin e organizuar të listës së votuesve dhe transportin e votuesve fantazmë, pas së cilës Brnabiq e akuzoi atë se “as që e kishte marrë mundimin të lexonte” raportin për Serbinë. /Ballkani.info/