Vuçiq e Putin bisedë 30 minutesh për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, biseduan në telefon për çështjet më të rëndësishme të dy vendeve.

Në një bisedë telefonike që zgjati më shumë se gjysmë ore, të dy presidentët folën gjithashtu edhe për Kosovën si dhe çështje të tjera të rëndësishme.

Siç shkruan gazeta serbe “B92”, të dy zyrtarët diskutuan çështjet rajonale, dhe pjesën më të madhe të bisedës e patën për çështjen e Kosovës, veçanërisht në atë që po ndodh në skenën politike ndërkombëtare.

Presidenti Putin tha që ai do të fliste për Kosovën në mënyrë private me Presidentin Vuçiq javën tjetër në Moskë.

Ai theksoi se Rusia do të mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se është e qartë se asnjë vendim nuk mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.