Vuçiq e luan heroin pas takimit me strukturat ilegale: Sido që të jetë, s’do të ketë kolona refugjatësh

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka dalë në një konferencë për media pasi i mblodhi vartësit e strukturave ilegale të tij në Kosovë në një takim në Beograd.

Vuçiq u ankua si gjithmonë, duke folur në rolin e një heroi shpëtimtar të cilit po i bëhet padrejtësi.

“Nuk kemi ku të shkojmë, jemi në qoshe. Sido që të jetë, mesazhi ynë për popullin e Kosovës është se nuk do të ketë kolona refugjatësh, do ta shpëtojmë popullin tonë nga pogromet dhe persekutimet”, ka thënë Vuçiq.

Ai tha se propozimi i Serbisë ishte njëfarë neutraliteti ndaj statusit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se “hodhi poshtë gjithçka”, raportojnë mediat serbe.

Vuçiq tha se për vendimin që atij i duket si shkatërrim i jetës së serbëve, Qeveria e Kosovës “e kishte marrë dritën e gjelbër nga Quinti”.

Ai theksoi se shpreson që në dhjetë ditët e ardhshme të arrihet një zgjidhje e pranueshme.

“Shqiptarët thonë se duam t’ju japim një dokument si ky i yni i lëshuar nga Serbia qendrore. Ne themi pa problem. Kur Aleksandar Vuçiq të hyjë në Republikën e Kosovës, jepini ato letra, por nuk mund t’u lëshoni letra të tilla njerëzve që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës. Por ata nuk u interesuan që ta zbatojnë atë për mua dhe për ju, u interesuan vetëm për ta shkatërruar jetën e qytetarëve që jetojnë në veri. Dhe ata refuzuan, sepse pika e vetme është torturimi i popullit tonë në Kosovë dhe dëbimi i tyre”, tha Vuçiq.

Në takimin me Vuçiqin ishte i pranishëm edhe Milan Radoiçiq, i futur në listën e zezë të SHBA-së – i cili në fillim të qershorit u shfaq në veri të Kosovës. Në Kosovë për të është ende në fuqi një urdhërarrest.

Përveç Radoiçiqit, aty morën pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, ministri i Financave, Sinisha Malog dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Ky i fundit, pas takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Vuçiqin në Bruksel, tha se s’ka pasur kompromis, përcjell Express.

Takimi Kurti – Vuçiq nuk prodhoi ndonjë marrëveshje, gjë të cilën e konfirmoi shefi i diplomacisë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.

Paraprakisht, Vuçiq dje ishte takuar me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe.