Dje në Bruksel, pas 20 muajsh bllokade, ka rifilluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim, ku Kosova është përfaqësuar nga kryeministri Avdullah Hoti e Serbia nga presidenti, Aleksandar Vuçiq, janë diskutuar një sërë çështjesh.
Aty është folur për të pagjeturit, dëmet e luftës, suksesionin apo ndarjen e pasurisë së ish Jugosllavisë dhe tjera çështje ekonomike.
Por, lajmi më i madh nga Brukseli ishte përshendetja para nisjes së takimit ndërmjet Hotit dhe Vuçiqi. Përveç përshendetje me bërryla, Vuçiqi ia bëri edhe një pyetje Hotit: A din serbisht? Kryeministri kosovar ju përgjigj shkurt: “Kuptoj”, shkruan Ballkani.info.
E kjo “kuptoj” e Hotit mori dhënë në Kosovë. Pati shumë reagime në rrjetet sociale për mënyrën se si do të duhej t’ia kthente Hoti presidentit serb.
Sido që të jetë, në vitin 2018 në një intervistë, Vuçiq ishte pyetur edhe për gjuhën shqipe.
“Ka shumë shqiptarë që unë do të doja të takoja dhe është faji im që nuk di asnjë fjalë shqip. Do të doja ta dija gjuhën tuaj, do të doja të isha më i arsimuar dhe shpresoj që do të kem kohë për të fituar arsim shtesë. Unë mendoj se kjo është një nga pikat e dobëta për ne serbët sepse, ndoshta për shkak të hapësirës në të cilën kemi jetuar në ish-Jugosllavi, kemi menduar që të gjithë duhet të flasin serbisht dhe se nuk duhet të interesohemi për gjuhët e tjera”, kishte deklaruar Vuçiqi aso kohe. /Ballkani.info/







