Presidenti serb

Vuçiq: As Trumpi s’më detyron të flas me Kosovën pa e hequr taksën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të bie nën presionin ndërkombëtar për të rinisuar bisedimet me Kosovën përderisa kjo e fundit nuk largon taksën ndaj mallrave serbe.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë është bllokuar këtë vit si pasojë e çështjeve si rishikimi i kufijve, krijimi i Ushtrisë së Kosovës, refuzimi i Serbisë të njohë Kosovën si shtet dhe si pasojë e bllokadës ndaj mallrave serbe në nëntor. Presidenti amerikan, Donald Trump u dërgoi letra si Vuçiqit ashtu edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kërkuar nga ata me ngulm që të arrijnë një marrëveshje.

“Nuk ka forcë në botë, e as ndonjë njeri në botë, që mund të më detyroj të flas për diçka derisa të mos tërhiqen taksat. Madje as thirrja personale e Trumpit”, tha Vuçiqi para gazetarëve sot, raporton “Bloomberg”.

Agjencia amerikane e lajmeve shkruan po ashtu se ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, tha se shteti i tij do të rrisë buxhetin ushtarak për vitin e ardhshëm për 35 për qind në 919 milionë dollarë për “t’u përgatitur kundër çdo rreziku të mundshëm, sepse në Ballkan nuk është se kemi pak rreziqe”.

Vuçiqi ka paralajmërur se Serbia do të reagojë për serbët në Kosovë nëse sulmohen.