Stefan Saviq

Vritet tragjikisht sportisti serb

Fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të MMA, Stefan Saviq ka ndërruar jetë tragjikisht të dielën e 25 shkurtit në mëngjes.

Këtë lajm e ka publikuar Arena Sport, pa dhënë detaje. Megjithatë, siç raporton Blic , 23-vjeçari u godit me thikë në një sulm të tmerrshëm.

Të dielën, pak pas mesnate, në cepin e Dobraçinës dhe Dunavskës, ai u gjet me një plagë me thikë në zonën e gjoksit. Ai është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, raporton klix.ba.

“Stefan Saviq, fituesi i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror MMA, ndërroi jetë tragjikisht të dielën e 25 shkurtit në mëngjes. Arena Fight i dërgon ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë njerëzve që e donin Stefanin. Stefan do të mbahet mend përgjithmonë, jo vetëm si kampion, por si dikush që preku zemrat me mirësinë e tij dhe la gjurmë të pashlyeshme”, thuhet në deklaratë.

Saviq fitoi medaljen e tij në garë në nëntor, dhe në rrugën e tij drejt bronzit në Kampionatin Botëror, ai mundi rivalët nga Austria dhe Angola.