Vritet njëri nga komandantët kryesorë të talibanëve në Afganistan

Zyrtarët afganë kanë deklaruar se një komandant i lartë i talibanëve është vrarë në Helmand të Afganistanit nga sulmet ajrore të kryera nga forcat speciale amerikane dhe afgane. Komandanti Abdul Manan, i cili ishte caktuar udhëheqës për rajonin e Helmandit, u vra bashkë me 29 talibanë të tjerë, përderisa po takohej me disa komandantë dhe luftëtarë të tjerë.

Vdekja e tij është konfirmuar edhe nga talibanët, por ushtria amerikane nuk e ka konfirmuar ende vdekjen e tij, duke thënë se janë duke i hetuar rezultatet e sulmit. Nën komandën e këtij komandanti, talibanët ishin duke e zgjeruar kontrollin në Helmand për vite të tëra. Rrjedhimisht, vrasja e tij po vlerësohet si sukses mjaft i madh nga forcat afgane.

“Ai ishte komandanti kryesor i talibanëve në jug të vendit dhe vdekja e tij do ta sjellë një ndikim të përgjithshëm në gjendjen e sigurisë”, tha një zyrtar i sigurisë në Kabul. Të dyja palët kundërshtare në luftë po përpiqen ta shfrytëzojnë kohën para fillimit të negociatave për arritje të paqes, të cilat synojnë t’i japin fund luftës 17-vjeçare në Afganistan, shkruan “Reuters”.