Një ngjarja e rëndë ndodhi gjatë muajit korrik në fshatin Berivojcë të Kamenicës, ku burri Nuhi Mavrovqani mbyti me shufër metalike gruan e tij.
E kur sot i akuzuar Nuhi Mavrovqani ka dalur para gjykatës, i pandehuri e ka pranuar fajësinë e kryerjes së këtij krimi.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Në aktakuzë thuhet se në ditën e 25 korrikut, në shtëpinë e Nuhiut dhe Sabile Mavrovqanit ka filluar një mosmarrëveshje familjare. Sipas prokurorit të rastit, Arben Ismajli, Nuhiu me dashje ka vrarë gruan e tij, Sabilen, me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra.
Sipas aktakuzës gjithçka ka filluar pas një fjalosje, e cila më pas përfundoi, pasi 42 vjeçari filloi ta godas gruan e tij të ndjerë fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës e cila më pas është rrëzuar në tokë.
Edhe pasi e ndjera kishtë rënë në tokë, sipas aktakuzës, thuhet se Nuhiu kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës së kokës, ku e ndjera nuk arriti t’i mbijetojë atyre plagëve.
Në ngritjen e aktakuzës, prokurori Ismajli është bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, deklaratën e familjarit të së ndjerës, Sabile Mavrovqanit si dhe raportet e zyrtarëve policorë, raportit të vendit të ngjarjes kur kishte ndodhur vrasja, raportin mjekësor të QKMF-së në Kamenicë si dhe raportin e autopsisë.







