Vrasjet që shuan dy familjet, njëra në Gjilan e tjetra në Pozhoran

18 shkurti i këtij viti ishte një nga ditët më të rënda në Komunën e Gjilanit. E gjithë kjo pas tragjedisë që tronditi vendin, ku zyrtarja policore vrau katër anëtarë të familjes së saj dhe më pas edhe veten.

Valdete Bllaca e cila ishte zyrtare policore në rajonin e Gjilanit, kishte privuar nga jeta babain Zeqir Bllaca i moshës 70 vjeçare, nëna Hanife Bllaca 66 vjeçare, dy vëllezërit e saj Blerim Bllaca 43 vjeçar dhe Fisnik Bllaca 34 vjeçar, si dhe në fund edhe veten.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje. Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bojanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhej në njoftimin e e parë të Prokurorisë.

Asokohe fqinjët e Valdete Bllacës në lagjen ‘Bojanina’ në Gjilan patën deklaruar se dyshohet që arsyeja që qoi deri tek kjo tragjedi ishin disa mosmarrëveshje pronësore.

Pavarësisht gjithë kësaj, i pari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pati deklaruar se familja Bllaca njihej si familje shumë bujare.

Por ende pa kaluar një vit, me një ngjarje të ngjashme u përballën një familje e tërë mbrëmjen e kaluar.

Një vrasje makabër ndodhi në fshatin ‘Pozhoran’ të Vitisë, ku u njoftua se kryefamiljari Fetah Zuka me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën Makfire Zuka dhe dy djemtë e tij, të ndjerët Hamdi Zuka dhe Arbër Zuka e në fund kishte kryer vetëvrasje.

Anëtarët e kësaj familje ishin duke jetuar në Zvicër dhe të njëjtit kishin ardhur në Kosovë për pushime.

Burime të portalit kanë bërë të ditur se e gjithë kjo ngjarje erdhi pas një mosmarrëveshje të ndodhur mes çiftit, e cila ishte kohë më parë anipse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga organet e drejtësisë.

Trupat e viktimave janë larguar nga shtëpia në Pozhoran rreth katër orë pas ngjarjes tragjike.

Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit u tha se informacionin për të shtëna me armë e pranuan rreth orës 18:00.

“Kemi filluar me ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe dëshmitarët e mundshëm rreth rastit. Fokusi jonë ka qenë ekzaminimi i vendit të ngjarjes që të gjejmë çdo dëshmi nga vendi i ngjarjes. Ekipet ende janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe jemi në fazën fillestare të hetimeve. Nga hetimet e para mund të them se tre viktima kanë qenë brenda shtëpisë dhe një viktimë në oborrin e shtëpisë”, tha nënkoloneli i Policisë së Kosovës Azemi.

Dyshimet fillestare bëjnë të ditur se Fetah Zuka brenda shtëpisë kishte vrarë gruan dhe dy fëmijët ndërsa me të dalë në kopsht, kishte privuar nga jeta edhe veten.

Këto dy raste janë ndër më të rëndat që Kosova pati gjatë këtij viti, derisa duhet përkujtuar që numër mjaftë i madh ishte edhe i vrasjeve dhe vetëvrasjeve në përgjithësi.