Duda Balje

Vrasjet e grave nga burrat, Duda Balje: Po punojmë, por s’po kemi sukses

Deputetja e Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës, njëkohësisht edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore, Duda Balje, thotë se janë duke punuar shumë në drejtimin që gratë në Kosovë të kenë një jetë më të sigurt, por që nuk po arrijnë të kenë sukses.

Balje tha se duhet të pranohet fakti që gjendja në terren nuk është e mirë.

“Jemi duke provuar me bë gjëra sa më të mira, jemi duke punuar non-stop, kemi shumë takime, shumë tryeza të rrumbullakëta, shumë jemi duke folur për këtë, jo vetëm ne në komision, por edhe në kuvend, në OSBE, Zyrën e Kryeministrit. Ne kemi shumë adresa në shtet, në fakt në secilën ditë jemi duke punuar për me bë një jetë shumë më të mirë për gratë në Kosovë. Ku është problemi vërtetë duhet me u ulë, kemi energji, kemi vullnet.

Secili prej neve po dojmë me punu për me përmirësu gjendjen në terren, por në fakt s’jemi kaq të suksesshëm. Këtë duhet me pranu, se vërtetë nuk jemi aq të suksesshëm, ku është problemi? A është problemi në ligj? Nëse është në ligj e jemi ne fajtor, ne jemi për ta ndërruar ligjin – ta kemi ligjin e ri. A është sistemi i drejtësisë, a është sistemi policor, i edukimit? Duhet me punu”, tha ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Deputetja tha se gratë në Kosovë jetojnë si në filma horror.

“Jeta e grave në Kosovë është si një film horror. Vërtet unë çdo ditë kam frikë se ka me ndodhë ndonjë send tjetër. Te ne çdo dy-tri ditë tash jemi duke folur për këto gra që janë vrarë. Pas tri-katër dite do të ndodhë diçka tjetër. Ne prapë koncentrohemi në punën e diçkaje tjetër që është ‘taze’”, shtoi ai.

Për fund ajo tha se “unë si deputete e pranoj që kemi punuar shumë, por nuk kemi shumë sukses”.

Brenda pesë ditësh në Kosovë janë vrarë dy gra nga bashkëshortet e tyre. Rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj, më 12 prill, ndërsa rasti i dytë më 16 prill në Pejë.

VIDEO BONUS: