Vrasja në Pejë e dy zyrtarëve të lartë të PDK-së, krejt çka dihet deri më tash

Në orët e mbrëmjes ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në qytetin e Pejës. Të vrarë kanë mbetur kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga PDK, Blerand Kadrijaj.

Gjithashtu në këtë ngjarje të rëndë i plagosur ka mbetur edhe vëllai i Astrit Ademajt.

Lajmi është bërë i ditur për Ballkani.info nga një burim brenda PDK-së në qytetin e Pejës, por ende nuk dihen arsyet e ksaj tragjedie.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin Pejës, Driton Rugova, derisa ka konfirmuar se dy nga të plagosurit nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve.

“Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Janë dërguar në spital të Pejës, por që dy prej tyre nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve. Forenzika është në vendin e ngjarjes për të kuptuar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës.

Edhe Prokuroria e Pejës ka konfirmuar rastin për Ballkani.info

“Si pasojë e një incidenti të armatosur kanë humbur jetën dy persona dhe një tjetër është plagosur”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.

Tutje, Nikçi shtoi se prokurori kujdestar i departamentit të krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.