Njofton policia

Vrasja në ish- Bllok, arrestohet pronari i lokalit

Policia e Tiranës vuri në pranga Redi Popeskun, pronarin e hotelit ku u vra një person dhe mbetën të plagosur 3 të tjerë.

Arrestimi i Popeskut është bërë rreth orës 23:30 minuta mbrëmjen e shkuar në lokalin e tij.
Sipas policisë Popesku u arrestua pasi ka penguar në zbulimin e ngjarjes.

“Arrestohet një tjetër shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal në mbrëmjen e 04.10.2018 ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. H., dhe E. M.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës arrestuan për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasin: Redi Popescu, 40 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Ai akuzohet se ka fshehur armën e njërit të pjesëmarrësve në vrasje.

Natën e 4 tetorit 2018, mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën 36 vjeçari Ervis Martinaj dhe 28 vjeçari Eljon Hato.

Një ditë pas vrasjes (më 5 tetor) policia deklaroi se ishin shpallur në kërkim tre persona, mes tyre dhe efektivi i Forcave Komando, Merviol Bilo, 41 vjeç. Në kërkim janë shpallur dhe Ervin Mata, 31 vjeç, Fabjol Alushi, 42 vjeç.

Dyshohet se një nga tre personat që u qëllua me armë ka ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata, çka ka sjellë dhe ndezjen e debatit mes 6 personave. Në përplasjen me armë u përfshi dhe efektivi i Forcave Komando, Marviol Bilo, pjesëmarrës në disa misione paqeruajtëse në Afganistan dhe një nga qitësit më të mirë të repartit të Zall Herrit.