Vrasje

Vrasja në “Bon Vivant”, të akuzuarit fajësojnë njëri-tjetrin

Dy të akuzuarit për rastin e vrasjes në “Bon Vivant”, në Prishtinë, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, përmes mbrojtësve të tyre, e kanë fajësuar njëri-tjetrin për ngjarjen që kishte ndodhur më 13 tetor të vitit 2014, e ku ishte mbetur i vdekur roja i lokalit, Rrahman Uka.

Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjalë përfundimtare në këtë rast, ku Gërdovci e Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta, tani të ndjerin Rrahman Uka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gërdovci, avokati Naim Rudari, në fjalën përfundimtare deklaroi se nuk ka prova që i mbrojturi i tij ta ketë privuar nga jeta të ndjerin Uka, por sipas provave dhe deklaratave, një veprim të tillë, siç ka thënë ai e kishte ndërmarr i bashkakuzuari Sherif Krasniqi.

Por, këtë e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku, i cili deklaroi se i mbrojturi i tij është plotësisht i pafajshëm, ngase ai nuk ka pasur qasje fizike në armë, dhe se arma ka qenë e Masar Gërdovcit, me të cilën sipas tij, edhe e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Uka.

Ndërsa, prokurorja Ferdane Sylejmani, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi është vërtetuar në mënyrë të plotë, dhe bindëse se të akuzuarit Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqi, kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, dhe secili veç e veç, veprën penale armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurores Sylejmani, të akuzuarit, këto veprime i kanë ndërmarrë në kohën kur të njëjtat kanë mundur t’i shmangin dhe sipas saj, me dashje dhe me paramendim kanë privuar nga jeta të ndjerin Rrahman Uka.

Sylejmani theksoi ekspertizën psikiatrike, me të cilën ishte vërtetuar se i akuzuari Gërdovci, ka qenë i aftë në aspektin psikik, të kuptojë rendësinë e veprave të veta.

“Konsideroj që kjo çështje është vërtetuar në mënyrë të tërësishme, se vepra penale është kryer me dashje direkte, dhe me paramendim, andaj mbetem pranë aktakuzës, dhe propozoj gjykatës që të njëjtit t’i dënoj siç është paraparë me ligj”, shtoi Sylejmani.

Sipas saj, të akuzuarit nuk kanë qenë të kërcënuar, apo të kanosur, të njëjtit kanë qenë të aftë mendërisht të kuptojnë rëndësinë e veprave të veta, dhe se veprimet e tyre janë ndërmarrë me veprime direkte.

Sylejmani, deklaroi se teza e aktakuzës, ishte vërtetuar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, përmes provave të paraqitura gjate procedurës, si dëshmitë e dëshmitarëve, ekspertëve të balistikës, ekspertët psikiatrik, dhe provat tjera të cilat vërtetojnë, përtej dyshimit të bazuar se të njëjtit janë kryerës të këtyre veprave penale.

Prokurorja, i propozoi gjykatës që të njëjtit t’i shpall fajtorë dhe t’i dënojë me dënim kapital.

Me fjalën përfundimtarë të prokurores Sylejmani, u pajtua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Armend Krasniqi.

Krasniqi deklaroi se gjatë kësaj procedure është vërtetuar se të akuzuarit, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, Rrahman Uka, i cili, ka lënë pas gruan dhe fëmijët, sipas tij, ky rast kishte ndikuar edhe në vdekjen e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë një muaj pas vrasjes së djalit të tij.

Sipas përfaqësuesit, i ndjeri ishte mbajtësi i vetëm i familjes, dhe sipas Krasniqit, familja do të paraqes kërkesë për kompensimin e dëmit material dhe jo material.

Ai i propozoi trupit gjykues, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Naim Rudari, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se ka paqartësi të mëdha në dispozitivin e aktakuzës, ndonëse prokurorja në fjalën e saj përfundimtare, sipas tij, deklaroi se mbetet pranë aktakuzës, ajo është e paqartë.

Sipas tij, në aktakuzë është precizuar se i mbrojturi i tij “ka shtënë me armë, por arma e tij nuk ka shkrepur”, cilësim ky që sipas Rudrit, është i paqartë.

Sipas Rudarit, ka dilema edhe lidhur me cilësimin e veprës penale ”vrasje e rëndë”, ngase sipas tij, vrasja e rëndë është kur “Privon nga jeta personin me dashje, dhe e vë në rrezik jetën e të tjerëve” apo “Privon nga jeta personin tjetër zyrtar, apo gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Sipas tij, “person zyrtar është personi i cili ushtron detyra sipas autorizimeve që rrjedhin nga ligji”, por Rudari deklaroi se gjatë kësaj procedure nuk është ofruar asnjë kontratë, me të cilën bëhet përshkrimi i detyrave të të ndjerit në atë kafene.

Sipas Rudarit, nuk është bërë saktë cilësimi juridik, i veprës penale, ku thuhet “në bashkëkryerje”, ngase sipas tij, bashkëkryerje nënkuptohet ndërmarrja e veprimeve të koordinuara dhe të planifikuara.

“Por, të akuzuarit, nuk janë marr vesh dhe nuk janë koordinuar për asgjë tjetër, përpos për të pirë kafe”, shtoi mbrojtësi Rudari.

Sipas mbrojtësit Rudari, kësaj zënke i kishin paraprirë, menaxherët e kafenesë “Bon Vivant” duke vënë edhe dyshimet e tij, se të njëjtit kanë koordinuar deklaratat e tyre, në mënyrë që të mos vihen në pah edhe parregullsitë tjera që kanë ndodhur në ditën kritike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gerdovci, hedh dyshimet e tij edhe tek dëshmitarët, të cilët sipas tij, kanë manipuluar me provat, madje ai ka lënë të hapur edhe opsionin e ekzistimit të ndonjë vepre penale për dëshmi të rrejshme, kjo pasi të njëjtit, kishin dhënë deklarata kundërthënëse.

Rudari deklaroi se mbrojtësi i tij, ka çrregullime të personalitetit, çrregullim ky i cili përcillet me sjellje te papranueshme për shoqërinë, tolerancë të ulët dhe agresivitet, por që sipas ekspertit psikiatrik ky çrregullim nuk e pengon që i njëjti të përcjell gjykimin.

“Kërkojmë nga gjykata të analizohen në tërësi të gjitha provat materiale, dhe ato deklarative, dhe propozoj që mbrojtësi im të shpallet fajtor për veprën penale armëmbajtje pa leje për të cilën e ka pranuar fajësinë, ndërsa të lirohet për veprën penale vrasje e rëndë, ngase nuk është vërtetuar që Gërdovci të ketë ndërmarrë veprime me qëllim të privoj nga jeta”, deklaroi Rudari.

Në këtë seancë dha fjalën përfundimtare edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku, i cili deklaroi se ka paqartësi lidhur me përshkrimin e veprimeve individuale në aktakuzë.

“Ne aspektin individual, të përshkrimit të ngjarjes, e veprimeve, prokurorja ja ka huq”, deklaroi Millaku, duke thënë se ka dilema lidhur me veprimet individuale të të akuzuarve.

Sipas Millakut, intervali kohor nga dy të shkrepurat e para dhe dy të tjerat, është aq i vogël, sa që për 10 sekonda, sipas tij, është e pamundur që arma të kalojë nga Gërdvoci tek Krasniqi.

Ai ka thënë se Sherif Krasniqi, është plotësisht i pafajshëm, ngase i njëjti nuk ka pasur qasje fizike në armë, duke i propozuar gjykatës të merr aktgjykim lirues.

Sipas Millakut, Gërdovci ishte provokuar, “nuk ke rezervim” dhe sipas tij, të njëjtit i është cenuar krenaria, dhe menjëherë ka ndërmarr veprimet të cilat kanë sjell pasojat që janë sot, duke aluduar se pas zënkës, Gërdovci kishte reaguar dhe e kishte privuar nga jeta të ndjerin Uka.

“S’po i dhez arma atij qe është pronar e që po e fut n ‘tytë, e pe merr Sherifi po i shkrep menjëherë”, kjo nuk është e mundur”, deklaroi Millaku.

Në këtë seancë shkurt, u deklarua edhe i akuzuari Sherif Krasniqi. “Para zotit dhe para robit jam i pastër dhe s’kam dhënë asnjë kontribut për vrasjen e të ndjerit”, shtoi Krasniqi.

Sipas njoftimit të kryetares së trupit gjykues Suzana Qerkini, shpallja e aktgjykimit do shtyhet, kjo për shkak se njëri nga anëtarët e trupit gjykues, nga data 5-10 nëntor do të jetë, në një udhëtim zyrtar.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet të 12 nëntor nga ora 14:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim. Aktakuza vazhdon se posa Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gërdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve.

Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provojë nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK.