Vrasja e të riut në piceri dhe ajo e 49-vjeçarit në Mitrovicë, kush janë katër personat e shpallur në kërkim

Katër persona janë shpallur në kërkim dje nga Policia e Kosovës nën dyshimet për “vrasje të rëndë”. Vrasjet kanë ndodhur këtë vit në Mitrovicë, njëra në muajin shkurt e tjetra në korrik. Megjithatë të dyshuarit kryesor ndodhen akoma në arrati.

Mehmet Kurti 23-vjeçar kishte mbetur i vrarë në një piceri mbrëmjen e 12 shkurtit në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë. E nga të shtënat me armë zjarri ishin plagosur edhe dy persona.

Lidhur me këtë vrasje, policia kishte njoftuar se një i dyshuar ishte vetëdorëzuar në polici, ndërsa një tjetër ndodhej në arrati.

Atëkohë prokurori i rastit, Njazi Rexha, kishte deklaruar se natën kur kishte ndodhur tragjedia janë intervistuar të gjithë të pranishmit në piceri. Teksa motivet e vrasjes së 23-vjeçarit mbeten akoma të panjohura.

Ndërsa, pesë muaj pas vrasjes së 23-vjeçarit, Mitrovica u trondit sërish nga një rast i vrasjes. Policia njoftoi se më 10 korrik në orën 00:20 në rrugën “Evlia Qelebia”, nga të shtënat me armë zjarri kishte mbetur i vrarë Driton Salihu, 49-vjeçar si dhe u plagos vëllai i tij, J, Salihu 52-vjeçar.

Në vendngjarje ishin gjetur katër gëzhoja dhe një predhë plumbi si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.

Nga ajo që deklaruan familjarët e të vrarit, prapa kamerave televizive, u tha se ngjarjes i parapriu një rrahje që djemtë e të plagosurit kishtin pasur paraprakisht me të dyshuarit, ku, sipas tyre, këta të fundit erdhën te shtëpia ku shtinë në drejtim të dy kryefamiljarëve.

Me qëllim të arrestimit të tyre, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, me autorizim të prokurorit të shtetit, kërkon bashkëpunimin me qytetarët për arrestimin e katër personave në kërkim.

Përmes një njoftimi për media, qytetarëve iu kërkua që për çdo informacion që ndërlidhet me personat në kërkim apo vendndodhjen e  tyre, të lajmërojnë Policinë e Kosovës.

Informacione për personat në kërkim, mund të dërgoni në Nënstacionin/ Stacionin Policor më të afërt, përmes telefonit apo edhe përmes aplikacionit ,,Lajmëro Policinë”.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192, +381 (0)28 532 366-Drejtoria Rajonale Mitrovicë Jugu, 044/704 511, E-mail adresa: [email protected].