BSPK

Vrasja e policit në veri, BSPK ka një thirrje për autoritetet e Kosovës dhe ndërkombëtarët

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar pas rastit tragjik në Veri, ku një polic ka mbetur i vdekur, një është plagosur dhe një tjetër është lënduar.

BSPK u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit dhe ndërkombëtarëve që të merren më seriozisht “me çështjen duke ua pamundësuar të papërgjegjshmëve ta prishin paqen, qetësinë duke krijuar gjendjen e pasigurisë”.

BSPK i ka shprehur ngushëllime familjarëve të policit të vrarë.

Komunikata e plotë:

Lajmi për humbjen e jetës së policit në veri të vendit është i trishtë dhe na thërret që policët nuk duhen lënë vetë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërret autoritetet e vendit po edhe ato ndërkombëtare që të merren shumë më shumë e tejet seriozisht me çështjen duke ua pamundësuar të papërgjegjshmëve ta prishin paqen, qetësinë duke krijuar gjendjen e pasigurisë.

Familjes e familjarëve të policit të vrarë i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta në drejtim të qetësimit dhe të zbutjes së dhembjes në këto çaste të rënda për ta dhe për të gjithë ne.

E i bëjmë thirrje autoriteteve të zbardhin rastin e trishtë që është më shumë se krim, se humbja e jetës së atyre që mbrojnë të drejtën në të mirë të qytetarit duhet mbrojtur dhe mbrojtur fuqishëm me të gjitha mjetet që pamundësojnë veprimin e grupeve kriminale e rendprishëse.