Drizan Shala

Vrasja e Liridonës, eksperti i sigurisë: Do të hetohet edhe lidhshmëria e Naim Murselit me Behgjet Pacollin

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë për Euronews Albania ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vrasje kjo që dyshohet se është organizuar nga burri i saj, Naim Murseli dhe që dyshohet se është ekzekutuar nga Granit Plava.

Sipas Shalës, Prokuroria dhe hetimet do të intensifikohen edhe sa i përket lidhshmërisë që ka pasur Naim Murseli me Behgjet Pacollin, përveç asaj që Murseli ka qenë këshilltar pro bono i Pacollit sa kishte qenë shef i diplomacisë.

“Çështja është se tanimë Prokuroria por edhe pjesa e hetimeve do të intensifikohen në aspektin e lidhshmërisë së tij me z.Pacolli. Përveç asaj që është e njohur që ka qenë këshilltar i Pacollit pro bono në kohën sa ka qenë në qeverisje”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka përmendur edhe çështjen e divorcit, duke thënë se duhet pyetur tutje se çfarë ka ndodhur me procesin e divorcit që ishte nisur në vitin 2019 dhe nëse ka pasur influencim nga palët e treta që divorci s’ka marrë epilog.

 “Por mbi të gjitha në qoftë se konstatohet se, në 2019 ka pasur një proces të divorcit , është ndalur ky procesi divorcit, duhet pyetur më tutje se cili ishte shkaku i pengimit gjyqësor, a ka pasur ndonjë influencim nga palët e treta, kjo mbetet për t’u parë”, ka thënë Shala.