Vrasja e Jurgen Kurtit, tre persona në pranga

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani”, ku u vra me armë zjarri 26-vjeçari Jurgen Kurti.

Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës raportojnë se ka vënë në pranga tre shtetas, të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasje, si dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Në pranga kanë rënë Elsi Leventi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, nga Patosi dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.

Ndërkohë raportohet se është shpallur në kërkim një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga polica për arsye hetimore.

Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm së bashkë me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike. Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.

Materialet iu dërguan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.