Sulmi me dron

Vrasja e fëmijëve, SHBA-ja merr përsipër zbardhjen e sulmit në Kabul

Sulmi amerikan me dron, që kishte cak neutralizimin e një sulmuesi vetëvrasës, ka lënë të vrarë dhjetë anëtarë të një familjeje afgane, përfshirë gjashtë fëmijë, i kanë thënë BBC-së të afërmit e tij.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të hënën se do të hetojnë sulmin e së dielës mbi një makinë të mbushur me eksploziv të parkuar afër shtëpisë së familjes së bombarduar në Kabul. Ushtria amerikane thotë se sulmuesi në makinë ishte pjesë e një dege afgane të grupit “Shteti Islamik”. Në njoftim thuhet gjithashtu se banorët e lagjes mund të jenë qëlluar pas sulmit ajror.

Raketa kanë qëlluar edhe të hënën lagjen në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Kabulit. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet në prag të ultimatuimit taleban për tërheqjen e trupave amerikane më 31 gusht nga Afganistani.

Dëshmitarët kanë thënë se menjëherë pas shpërthimeve, ka pasur të shtëna armësh, por nuk dihet kush po shkrepte.

Ministri i Arsimit i Qeverisë së përkohshme talebane ka bërë të ditur se nga tekstet shkollore do të hiqen të gjitha elementet që vlerësohet se bien ndesh me islamin. Duke folur gjatë një konference për media, Baki Hakani ka thënë se historia ka treguar se afganët nuk pranojnë asgjë tjetër pos islamit.

Por kur ata ishin në pushtet gjatë viteve nëntëdhjetë, kishin instaluar sistem represiv që u lejonte mundësi të kufizuara qytetarëve dhe ua ndaluan vajzave shkollimin e gratë i mbyllën në shtëpi.

Afganët po vazhdojnë të arratisen nga vendi me t’u dhënë mundësia e parë nga frika e hakmarrjes së regjimit brutal. Dhjetë familje janë vendosur në fundjavë në një kamp në Holandë. Në mesin e tyre kishte edhe gra aktiviste që kishin punuar me organizatat ndërkombëtare.