Vrasja e Agonis Tetajt: Krejt çka duhet të dini për rastin, që ka tmerruar tash e sa ditë Kosovën

Vrasja e një punëtori nga shefi i tij në Deçan ka tronditur opinionin publik, pasi disa ditë më herët ndryshoi cilësimi i veprës penale dhe kjo i dha vëmendje të madhe mediale gjithë rastit që tashmë është bërë si një serial kriminal.

23 shtator 2018, e diele, ora 11 e paradites. Në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan, në kompaninë “Gogaj AG”, i biri i pronarit të kësaj kompanie, 18 vjeçari Shaban Gogaj, po fliste me punëtorët e tij në mënyrë të çliruar dhe jo-profesionale. Ai kishte marrë lajmin [nga babai i të dashurës së tij] se mund të fejohej. Gjendja e plotë emocionale e tij nuk dihet. Punëtorët shihen derisa komunikojnë, qeshin dhe e shikojnë. 18 vjeçari, si djali i shefit, ka vëmendjen e tyre. Ata e kishin ndërmend të shkonin në “Bjeshkë” për të festuar lajmin.

Ora 11:03. I biri i shefit flet në telefon me çikën e hallës së tij. Dy punëtorë në të majtë të tij shohin në një kompjuter. Dy të tjerë ndodhen përballë tij por nuk dihet se me çka po merren e as se çka po flasin.

Ora 11:04. I biri i shefit e lë telefonin, me veprime të shpejta i turret një sirtari, bën një grimasë nervoze, nxjerr revolen, dhe qëllon në drejtim të punëtorit 29 vjeçar Agonis Tetaj që ndodhet përballë tij. Ai qëllohet në kokë dhe rrëzohet në tokë i vdekur. Kamerat kapin disa pako të një malli që po ashtu rrëzohen dhe derdhen nëpër dysheme.

Ora 11:04. I biri i shefit të kompanisë, pasi sheh se punëtori i tij Agonisi është qëlluar dhe rrëzuar, kap kryet për një moment i heq, përqafohet nga një vajzë që duket e shqetësuar, por nuk i afrohet viktimës për të parë gjendjen e tij. Ai turret jashtë dyqanit.

E gjithë kjo skenë është bërë objekt i një mal interpretimesh ndër-luftuese.

Rasti u bë medial kur babai i punëtorit Agonis Tetaj dërgoi letër publike te institucionet dhe krahas saj edhe një video-inçizim të vrasjes së përshkruar. Prokurori Agron Uka kishte marrë vendim që t’ia ndërronte cilësinë veprës penale me të cilën ngarkohej Shaban Gogaj nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Çështja fitoi vëmendje të madhe të publikut meqë pamjet edhe pse të qarta, nuk sqaronin gjithçka.

Janë tri pika në të cilat mbrojtja e Shaban Gogajt po provon të dëshmojë se vrasja ka ndodhur nga pakujdesia.

Revolja

Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, pretendon se është e qartë se kjo vrasje ka ndodhur nga pakujdesia. Një gjë të tillë e argumenton duke thënë se ai kishte në posedim edhe një armë me gaz, dhe se në momentin kur po nxirrte armën nga sirtari ndërmend e kishte pasur që ta nxirrte armën me gaz dhe jo armën e vërtetë. Ekspertët thonë se arma me gaz dallonte në formë dhe në ngjyrë nga arma e vërtetë të cilën e shkrep Shaban Gogaj. Besnik Berisha thotë se arma me gaz kishte madhësinë dhe formën e njëjtë si ajo e vërteta.

Vetë Shabani thotë se e ka pyetur Agonisin para se ta vriste “se a ka marrë diçka [ndonjë allti] për në Bjeshkë”.

Avokati i tij thotë se ai nuk kishte përvojë me armët. Se kishte shtënë gjithsej dy herë gjatë jetës së tij: një herë në të ashtuquajturat “Bjeshkë” dhe një herë tjetër me rastin e festës së Vitit të Ri.

Ekspertët në bazë të video-inçizimeve kanë thënë se Shabani dukej se kishte pasur përvojë më të madhe me armë marrë parasysh mënyrën se si e mbushi dhe qëlloi me revole në drejtim të Agonisit.

Gjendja emocionale

Më tej, avokati Berisha argumenton ‘pakujdesinë’ edhe duke shtruar gjendjen emocionale të vrasësit. Ai thotë se i biri i shefit, Shaban Gogaj, ishte i gëzuar pasi kishte marrë lajmin se mund të fejohej me të dashurën e tij. Pra, ishte i gëzuar dhe jo-nervoz.

Në fakt, nuk ka ndonjë të dhënë të fortë që e dëshmon gjendjen reale emocionale të vrasësit. Nervoziteti i shihet në një grimasë të fytyrës që ai bën sapo mbyll telefonin dhe para se t’i turret sirtarit për ta marrë revolen. Pamje që mund ta shihni si më poshtë.

Në lidhje me këtë çështje, Berisha thotë se ajo formë e buzëve që shpreh nervozitet, në fakt i ishte bërë shprehi nga protezat që Shabani kishte mbajtur.

Ajo që mund të kuptohet nga videot e publikuara është se vëmendja e punëtorëve është e drejtuar kah vetë Shabani, që duket qartë derisa ushtron pozitë autoriteti në atë hapësirë.

Po ashtu, mund të shihen të qeshurat e vazhdueshme të një punëtori, por edhe mënyra e çliruar e komunikimit mes Shabanit dhe punëtorëve të tjerë.

Punëtorët dhe vetë Shabani kanë thënë se në ato momente po flitej për fejesën e tij.

Kujtojmë se Shabani ishte vetëm 18 vjeçar dhe lajmi në fjalë, përkundër gëzimit, mund ta ketë bërë njëkohshëm edhe nervoz.

Raportet mes Shabanit dhe Agonisit

Raportet mes Shabanit dhe Agonisit janë një tjetër çështje shumë e diskutueshme dhe njëkohshëm pika më e fortë e mbrojtjes nga avokati Berisha. Ai ka potencuar vazhdimisht mungesën e motivit për vrasje nga ana e Shabanit, dhe raportet e mira që ai kishte me të vrarin, Agonisin.

Por, kjo është një tjetër çështje e mbushur me mjegull. Nëna e të ndjerit, Nurija, ka thënë se i biri i saj nuk kishte qenë mirë emocionalisht në dy-tri javët e fundit para se të vritej. Për më keq, ai i kishte përmendur mundësinë e lënies së punës dhe ikjen për në Gjermani. Por, më e rënda për mbrojtjen ishte përmendja e “presionit që Shabani [si djali i shefit] iu bënte punëtorëve”.

Avokati Besnik Berisha konteston dëshminë e nënës së Agonisit duke thënë se ajo flet për presionin që Shabani iu ka bërë punëtorëve të tjerë, dhe jo vetë të birit të saj që më vonë do ta vriste.

Edhe bashkëshortja e të vrarit, Albesa, kishte thënë që Agonisi i kishte thënë për Shabanin se sillet superior ndaj punëtorëve dhe “ka dëshirë të japë urdhra”. Pra, mbani vesh se po flasim për një 18 vjeçar që sapo ka hyrë në moshë pune dhe që njëkohshëm është djali i shefit.

Dy punëtorët që ishin të pranishëm në vend-ngjarje në atë moment, Faruk Zukaj dhe Azgon Hadërgjonaj kanë thënë se nuk dinin për raportet mes viktimës dhe të pandehurit.

Madje, i vëllai i Agonisit, Dionisi, ka dëshmuar se ky i fundit e kishte marrë edhe një shuplakë nga djali i axhës së të pandehurit.

Sipas çikës së hallës së Shabanit, Florentina Malajt, menjëherë pas vrasjes Shabani i kishte thënë asaj “e mbyta njërin”. Kujtojmë që Shaban Gogaj nuk afrohet te viktima për të parë gjendjen e tij pasi ky i fundit rrëzohet përtokë.

Çka ndodhi pas rastit?

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tashmë ka marrë masa disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka për ri-cilësimin e rastit dhe kjo lëndë i është dhënë një prokurori tjetër.

Babai i Agonisit, Isufi, ka deklaruar që familja Gogaj i kishte ofruar para dhe banesa.

Por, rasti është larg së qeni i përfunduar.