Detaje të reja kanë dalë nga atentati i djeshëm ndaj Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja.
Dyshimet janë se atentati ka qenë i porositur, ndërsa autorët dyshohet se janë vrarës me pagesë nga Veriu i vendit ose nga Kosova.
Pas atentatit autorët dyshohet se janë larguar nga Ishmi.
Atentati ndodhi pasditen e djeshme teksa prokurori Arjan Ndoja po udhëtonte me dy persona të tjerë në automjetin tip “Benz ML” me targa ‘AA 333 ZD’, pranë Mbikalimit të Shkozetit.
Bashkë me Ndojan kanë mbetur të plagosur edhe dy personat e tjerë, shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç dhe Aleksandër Laho, pasagjer, i cili njihet ndryshe edhe si Landi Muharremi.
“Në aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur ‘Mbikalimi i Shkozetit’ kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit Aleksandër Laho, 48 vjeç, Arjan Ndoji, 44 vjeç dhe Andi Maloku, 30 vjeç. Shtetasi Andi Maloku është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Dyshimet paraprake janë se kemi të bëjmë me një atentat ndaj prokurorit Ndoji për shkak të detyrës.







