Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, i cili në zonën e kufizimit 80 km/h, po drejtonte veturën me shpejtësi 144 km/h.

Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se kjo ka ndodhur në fshatin Stanovc.

“Njësia e Trafikut Rajonal gjatë kontrollit të trafikut rrugor dhe matjes së shpejtësisë me radar në rrugën nacionale Mitrovicë –Prishtinë në segmentin rrugor në fshatin Stanovc kanë identifikuar kundërvajtësin, i cili në zonën e kufizimit 80 km/h, po zhvillonte shpejtësi prej 144 km/h”. Shoferi është gjobitur me 300 euro, tre pikë negative, dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për tre muaj në territorin e Kosovës.