Votohen ndryshimet në projektligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës

Vitin e kaluar, gjatë muajve të verës, Qeveria Haradinaj kishte mbështetur ndryshimet e Ligjit 04/L-144 Për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës.

Këto ndryshime ishin kërkuar nga organizata të shumta jo-qeveritare me qëllime jo fitim prurëse, të cilat kishin kërkuar që t’iu mundësohej shfrytëzimi i Hapësirave Publike.

Ligji i mëhershëm, parashihte lëshimin në shfrytëzim të Hapësirave Publike, vetëm bizneseve dhe ndërmarrjeve shoqërore, të cilat përmes ankandit do të garonin se cila ofronte çmim më të volitshëm për Komunën, dhe nënkuptonte që ai biznes që ofronte shumën më të madhe për një hapësirë, e merrte në shfrytëzim pronën për 1 deri në 15 vite.

Me ndryshimet e votuara në këtë projektligj nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media , tash Hapësirat Publike që menaxhohen nga Komunat e ndryshme, mund t’i marrin në shfrytëzim edhe organizatat e ndryshme jo-fitimprurëse.

Në një prononcim për Ballkani.info, deputeti nga radhët e NISMA-s njëherit edhe anëtar i këtij Komisioni, Milaim Zeka, ka thënë se gjithmonë ka qenë pro mbështetjes të këtyre ndryshimeve ligjore, andaj edhe i ka votuar.

“Më herët Komuna është bllokuar nga ekzekutivi, tashmë këto ligje janë votuar dhe i kam mbështetur gjithmonë, andaj edhe i kam votu”, ka thënë Zeka.

Shembulli më ideal i shfrytëzimit të Hapësirave Publike nga ana e organizatave jo-fitimprurëse, ka qenë edhe rasti i Kinemasë Lumbardhi në Prizren, të cilën bizneset kanë dashur ta kthejnë në parking, por me marrjen në shfrytëzim nga Fondacioni Lumbardhi, sot kjo Kinema mbledh mijëra shikues anë e mbanë Kosovës, dhe në stinën e verës kur organizohet Doku Fest-i, në këtë Kinema marrin pjesë regjisorë nga bota.

Rasti tjetër është i Qendrës Sociale “Termokiss” në Prishtinë, të cilët kanë marrë në shfrytëzim një Hapësirë e cila ka qenë jashtë përdorimit, dhe e kanë kthyer në një Qendër Sociale që mbledh vizitorë nga vende të ndryshme.

Përfitimet e Komunave në Kosovë, në këto rastë nuk kanë qenë vetëm fitime financiare, por edhe kulturore dhe artistike. /Ballkani.info/