Vota e deputetit Arifi në Gjykatë – Baraliu thotë se mund të ketë përfundim negativ për Qeverinë Hoti

Gjykata Kushtetuese pritet që të interpretojë ligjshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifin në seancë, në ditën kur u zgjodh Qeveria Hoti. Vota e 61 pro ekzekutivit, mund të sjellë një skenar të ri politik në vend. Për këtë temë, gjatë ditës kanë folur për Gazetën Express njohësit e çështjeve kushtetuese.

Ani pse me vendimin për ligjshmërinë e dekretit të presidentit, LVV’ja e Albin Kurtit nuk u nda e kënaqur, kjo parti edhe dje dërgoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ky institucion, Vetëvendosje ka kërkuar që të interpretojë ligjshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifit në seancën ku u zgjodh Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.

Ankesa e LVV’së rreth ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, mund të sjellë një realitet të ri politik në vend.

Për këtë çështje, Gazeta Express ka folur me njohës të Kushtetutës dhe të punës së Kuvendit.

Profesori i të drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë se nëse vendimi del ndesh me Kushtetutën do të ketë rrjedhojë si në rastin e Behgjet Pacollit.

“Mund të ketë rrjedhoja negative në validitetin, legjitimitetin e vendimit të Kuvendit, gjegjësisht të mocionit, mund të ketë rrjedhoja se si do të mund të veprojë Gjykata. Nëse dikush voton duke pasur vendim të plotfuqishëm gjyqësor me aktgjykim i dënuar me burgim aktiv, efektiv, atëherë sigurisht është diskutabile edhe me pasoja situata çfarë mund të rrjedhë”, thotë ai.

 Baraliu shton se pasi që kjo votë ishte vendimtare për qeverinë, që kaloi me numrin minimal që i duhej për qeveri, atëherë del se nuk është përmbushur kushti Kushtetues.

“Kushtetuesja do të duhej të thoshte në pika të caktuar se çfarë ndodhë me vendimin për mocion, a është i vlefshëm apo i pavlefshëm. Në qoftë se dikush me vendim të plotfuqishëm të formës së prerë të Gjykatës është dënuar me diçka me burgim efektiv, nuk mund ta ushtrojë funksionin e deputetit. Më tepër se kaq nuk mund të thuhet. Ajo që do të thuhet në vendim, varet se a do ta pranojë kërkesën e LVV’së Gjykata dhe nëse e pranon do të duhej të thotë në pikat e vendim të saj se çka ndodhë dhe se si ka ndodhë procedura”, thotë Baraliu.

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se nuk beson që Gjykata të zhvlerësojë mandatin e deputetit Etem Arifi. Sipas tij, rrjedhimisht Gjykata nuk do të anulojë as procesin e formimit të Qeverisë Hoti.

“Paraprakisht, unë konsideroj që çështja e deputetit Arifi është më se e qartë, dhe e njëjta nuk do të duhej të vihej në diskutim në nivele të tilla fare, meqenëse i njëjti ka humbur mandatin në legjislaturën e kaluar e jo në tanishmen”, thotë ai.

Tutje, nga KDI shtojnë se edhe nëse Gjykata do të merrte vendim që deputeti e ka humbur mandatin, kjo sipas tij nuk do të kishte efekt juridik apo kushtetues lidhur me formimin e Qeverisë.

“Edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, ta zëmë, në rastin e ish-Presidentit Behgjet Pacolli, përkundër faktit që Gjykata e kishte vlerësuar procesin kundërkushtetues, të gjitha vendimet e marra nga ai kishin mbetur në fuqi. Prandaj, besoj që do të ishim sërish në një situatë përafërsisht të njëjtë, meqenëse deputeti Arifi, përveç se ka votuar në zgjedhjen e qeverisë ‘Hoti’ ka votuar edhe në zgjedhjen e ish-Qeverisë ‘Kurti’, dhe në një sërë vendimesh tjera, prej periudhës kur ai pretendohet që ka humbur mandatin, anulimi i së cilave do të krijonte pasiguri të madhe institucionale. Rrjedhimisht, anulimi i vendimeve që janë marrë nga deputeti Arifi është pothuajse i pamundur juridikisht dhe politikisht”, thotë ai.

Gazeta Express kishte raportuar pas votimit të Qeverisë Hoti se VV e ka kontestuar votën e Arifit, duke deklaruar se do të kërkojnë interpretim të ligjshmërisë së këtij votimi.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se mandati i deputetit bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për ndonjë vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim.

Për rastin e Arifit, Zyra Ligjore e Kuvendit ka përgatitur një opinion ligjor, që është shpërndarë në kryesi me datë 18 maj.

Aty thuhet se nga analizimi i dispozitave kushtetuese dhe ligjore si dhe nga konstatimi i gjendjes faktike, del se vendimi për Arifin ka marrë formën e prerë para se ai të certifikohej si deputet në këtë legjislaturë.

Në përfundim të këtij opinioni të hartuar nga zyra ligjore thuhet se në këtë rast nuk gjejnë zbatim dispozitat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me rolin e Kuvendit për marrjen e deputetit.

Sipas Kuvendit, KQZ’ja është organ kompetent  për verifikimin e kritereve formale që duhet të plotësojnë kandidatët për deputet, para certifikimit të tyre.