Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet të hënën me zyrtarët e Azerbajxhanit në Baku dhe pritet të mbyllë një marrëveshje për të rritur importet e gazit natyror në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja do ta ndihmojë BE-në të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse, kjo gjithashtu do të vlejë edhe pasi tubacioni Nord Stream 1 ka filluar mirëmbajtjen e planifikuar javën e kaluar.

Puna në tubacionin nga Rusia në Gjermani do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave, por Ministria e Jashtme ruse tha se e ardhmja e gazsjellësit është e lidhur me sanksionet kundër Moskës.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Reuters, marrëveshja e propozuar midis Bakut dhe BE-së do ta rrisë rrjedhjen e gazit në bllok përmes tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit.

“Palët aspirojnë të mbështesin tregtinë dypalëshe të gazit natyror, duke përfshirë eksportet në Bashkimin Evropian, nëpërmjet Korridorit Jugor të Gazit, të paktën 20 miliardë metra kub gaz në vit deri në vitin 2027, në përputhje me kërkesën e tregut”, thuhet në dokument.

Vitin e kaluar, tubacioni transportoi 8 miliardë metra kub gaz në BE.

Rritja do të kërkonte që Azerbajxhani të rrisë prodhimin vendas të gazit.