Seanca plenare

Von der Leyen: Këtë dimër jemi të sigurt për furnizimin me gaz, por duhet të çlirohemi nga varësia ruse

Këtë dimër, Bashkimi Europian është i sigurt dhe ka marrë të gjitha masat nëse Rusia ndërpret gazin. Kështu u shpreh Ursula von der Leyen në seancën plenare të Strasburgut, sa i takon çështjes së gazit përballë presionit rus. Sipas saj, mbi 200 anije LNG po mbërrijnë në Evropë, ndërsa apeloi për investim që Unioni të çlirohet nga varësia e gazit rus.

“Ne kemi shqyrtuar të gjitha shqetësimet e mundshme, nëse Rusia zgjedh të përdorë energjinë si një levë presioni dhe mund të them se për këtë dimër jemi të sigurt. Me shtetet anëtare kemi marrë masa emergjente që mund t’i zbatojmë nëse arrijmë një krizë totale. Mbi 200 anije, LNG po mbërrijnë në Evropë. Por duhet të investojmë edhe për të çliruar veten nga varësia nga Rusia për gaz”, ka deklaruar von der Leyen .

Në lidhje me tërheqjen e disa trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, shefja e KE-së tha se NATO nuk ka parë ende shenja të qarta të tërheqjes.

“Unë mendoj se diplomacia nuk e ka thënë fjalën e fundit, por tani duhet të shohim faktet përveç fjalëve”, shtoi ajo, raporton a2news.

Ndërkohë kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u shpreh i kujdesshëm ndaj njoftimit për tërheqjen e forcave ruse nga Krimea, duke theksuar se është e nevojshme që kjo të verifikohet.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme tha se tërheqja, “nëse do të ishte e vërtetë, pa dyshim” do të ishte një shenjë qetësie, por gjithmonë duhet të kontrolloni.”