Von Cramon thuri lavde për Vjosa Osmanin, kështu i përgjigjet kryeparlametarja

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u cilësua si një grua inspiruese në establishmentin politik ballkanas nga Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se “gjëra të jashtëzakonshme mund të ndodhin kur gratë përkrahin njëra tjetrën”.

Ajo një gjë të tillë e ka thënë në llogarinë e saj në Twitter, duke shkruajtur mbi postimin e von Cramon, e cila e lavdëroi kryekuvendaren për “luftën për paqe dhe siguri në rajon”.

“Faleminderit, e dashura @ViolavonCramon. Gjëra të jashtëzakonshme mund të ndodhin kur gratë përkrahin dhe fuqizojnë njëra tjetrën”, ka thënë Osmani në postimin e saj.

Disa orë më herët, Raportuesja e Kosovës për BE-në kishte thurur një lëvdatë për kryekuvendaren Osmani.

“Cila nga gratë më ka inspiruar mua? Ballkani Perëndimor është përplot me gra inspiruese që luftojnë për paqe dhe siguri në rajon. Një nga to është @VjosaOsmaniMP, Kryetare e Parlamentit të #Kosovës. Ajo nuk di të dorëzohet!”, shkroi Von Cramon.