Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se në bisedën me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se ata ndjehen si qytetarë të dorës së dytë.
“Kjo duhet marrë seriozisht. Në Graçanicë u takova me përfaqësuesit vendas të serbëve dhe me peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe dhe ai dha disa shembuj të diskriminimit”, tha ajo për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, transmeton Ballkani.info.
“Thuhet se serbëve po u bëhet presion i vazhdueshëm përmes akuzave për krime lufte dhe po krijohet presion që të largohen nga Kosova. Këtë na e kanë paraqitur. Gjithashtu na është thënë se plani i Ahtisarit duhet të jetë model që ende respektohet”, tha Von Cramon, i cila gjatë katër ditëve të fundit u takua me përfaqësues të qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe dioqezës së Rashkës – Prizrenit.
LEXONI EDHE:
Ajo gjithashtu theksoi procesin gjyqësor që po zhvillohej kundër Dragisha Milenkoviqit nga Kishnica, i cili ishte akuzuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë derisa ishte duke punuar në një burg në Lipjan.
“Dëgjuam se në rastin e Dragisha Milenkoviqit nuk ka dëshmitarë të mjaftueshëm dhe se ky person po mbahet në paraburgim pa procedurë të duhur. Ajo që kam dëgjuar është se ky është një rast kritik, sepse nëse keni jetuar 23 vjet pas luftës dhe papritmas pa shumë dëshmitarë kjo ndodh, kam dëgjuar që ka një dëshmitar që fajëson dikë dhe se dikush po mbahet në paraburgim për këtë arsye nuk duket për sundimin e ligjit”, tha çuditërisht raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën.
Viola von Cramon ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, duke theksuar se ka pasur përshtypjen se janë të diskriminuar në këtë drejtim.
“Ju e dini se ne kemi luftuar shumë për të. Dikur dyshoja se nuk do t’ia dilnim. Të gjithë menduam se ishte diskriminim, sepse vendet e tjera të rajonit mund të udhëtojnë lirshëm përveç njërit. Lidhur me këtë, i përgëzoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë sipërmarrje të përbashkët”, tha ajo.
Duke folur për qytetarët që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi, për të cilët nuk zbatohet regjimi pa viza, Viola von Cramon tha se Komisioni (Komisioni Evropian) ka vendosur që të mos i diskriminojë.
“Ata që për ndonjë arsye nuk i kanë nxjerrë pasaportat e Kosovës, Komisioni ka vendosur që të mos i diskriminojë dhe pas procedurave të mund të udhëtojnë lirshëm. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë liberalizimin e vizave, e kam parë që ka shumë kërkesa për pasaporta”, tha Von Cramon.
E pyetur nëse autoritetet e Kosovës mund të kishin bërë më shumë për zbulimin e autorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë, Von Cramon deklaroi se nuk ishte shumë e njohur, por besonte se drejtësia do të marrë rrugën e saj. Ajo po ashtu pret një proces transparent gjyqësor dhe ka shprehur shpresën se nuk ka agjendë politike për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor që po zhvillohet në Kosovë. /Ballkani.info/







