Vokshi: Rama do përfundojë në burg! Nikolla i mbyll mikrofonin! Boçi: Po shkelni me këmbë Kushtetutën

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në nisje të seancës plenare përmendi aferën “McGonigal” duke hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

Por kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla i ka mbyllur mikrofonin.

Debati

Vokshi: Edi Rama e ka vendin në burg. Deputetë të ndershëm socialistë distancohuni nga Rama. Ejani të ngremë sot komisionin hetimor. 24 deputetë keni përjashtuar, turp më të madh nuk ka Lindita Nikolla. Ky parlament sot ka rënë, nuk mbron më interesat e popullit, mbron vetëm interesat e Edi Ramës. 14 herë përmendet emri i Ramës në akt akuzën e drejtësisë amerikane.

Nikolla: Po mbani fjalim, respektoni procedurën.

Vokshi: E di që prekesh kur përmendet Rama.

Nikolla: Do ta heq fjalën se nuk është për procedurë. Zonja Açka fjala për ju.

Edhe deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka kërkuar prezencën e kreut të qeverisë Edi Rama në Kuvend duke kërkuar që të zbatohet rregullorja e Kuvendit.

“Si mundet që ju znj.kryetare, keni urdhëruar që ata të mos futen në mbledhjen e Byrosë. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të deputetit. Neni 65 e përcakton qartë në pikat e tij që deputeti që ankimohet për vendimin duhet të jetë prezent, ose duhet të jetë përfaqësuesi i tij ligjor. Si mundet ju znj.kryetare që flisni në emër të rregullores të shkelni rregulloren dhe të vini këtu sikur nuk ka ndodhur asgjë me atë qetësinë olimpike të korruptuarit nga kryeministri. Kryeministrit tradhëtar siç e kemi cilësuar ne, kjo është e vërteta se urdhrat nga ai i merrni. Pastaj t’i futemi procedurës së të drejtave tona. Kemi kërkuar që nga java e kaluar seancë pyetjesh, është urgjente e përcaktuar nga nenet e rregullores, ku kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë. Kemi dy javë që e kërkojmë. Kemi kërkuar dy komisione hetimore znj.drejtuese e seancës, dhe Komisionet Hetimore janë të firmosura. I pari për çarterat ga 35 deputetë, i dyti për çështjen Rama-McGonigal nga 44 deputetë. E ka Kushtetuta neni 77 pika 2. Është kjo Kushtetuta që të mban ty aty. Që e mban Shqipërinë këtu të korruptuar. Pse e shkel Kushtetutën dhe më tregon mua rregulloren, më përjashton?

Pse e shkelni ju Kushtetutën znj. drejtuese e seancës? Pse e shkelni ju nenin 25? Që e cilëson saktë fare, kur ¼ e deputetëve kërkon ngritjen e këtij komisioni. Kush është ky që del në studio televizive dhe thotë: unë nuk ngre Komisione Hetimore. Jeni apo nuk jeni ju drejtuesie këtij vendi që de facto ne dimë se kush është, por të paktën de jure ushtron autoritetin tënd, sepse ne kemi kërkuar komision hetmor për një çështje madhore që është shqetësimi kryesor i shqiptarëve . Për atë thikën në zemër që i keni ngulur marrëdhënieve me SHBA. Se ju ishit ato dy vite pro-amerikanët. I harruat ato rublat që na përmendit, çdonjëri nga ju ishte i orientuar nga rublat. Jeni ju ata që keni cënuar marrëdhëniet me Amerikën, jo ne. Çfarë ka bërë Edi Rama, asgjë më shumë asgjë më pak se Enver Hoxha në 45-sën, dhe ju ndërkohë vazhdoni të njëjtën histori. U sulmua siguria e Shqipërisë nga disa hacker-a, dhe të gjithë këtu morëm vendimin, e miratuam, e përshëndetëm për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin si shtet terrorist. Kurse Rama personalisht ka goditur sigurinë e SHBA, duke korruptuar kryeagjentin e FBI, dhe ndaj atij personi ka nisur një hetim në SHBA. Është ngritur një komision në SHBA, dhe ju pengoni Komisionin Hetimor në Parlamentin e Shqipërisë.“/Gazeta Express