Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti kanë qenë dy emrat më të përfolur gjatë dy ditëve të fundit në vendin tonë.

Ata edhe zyrtarisht kanë hapur kandidaturën për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ani pse për momentin nuk kemi një datë se kur do të mbahen zgjedhjet.

Një nga emrat tjerë që është përfolur në opinion si kandidat i mundshëm për kryetar të FFK-së është edhe djali i legjendës së futbollit tonë Fadil Vokrri, Gramozi.

Ai ka kohë që është pjesë e futbollit, derisa një kohë dha kontribut edhe në FFK nga ku u largua pas disa pakënaqësive që kishte në udhëheqjen e këtij institucioni.

Demokracia.com ka kontaktuar Gramozin lidhur me ngjarjet e fundit, nëse ai do ta mbështet ndonjërin nga këto kandidaturat e fundit apo edhe për mundësinë e kandidimit të tij për të parin e FFK-së. Vokrri i ka qenë shumë i qartë. Në këtë kohë kur nuk kemi as datë të zgjedhjeve nuk është korrekte të flitet për kandidime. Sipas tij në këto moment primare duhet të jetë interesi i futbollit.

“Interesi i futbollit duhet me qenë primar në këto momente. Përderisa nuk kemi datë të zgjedhjeve është pak vështirë me u prononcu. Kjo situatë e mjegullt rreth zgjedhjeve nuk i bënë nder e as nuk i ndihmon futbollit”, ka thënë fillimisht Vokrri duke shtuar.

“Për me qenë kandidat nuk mjafton një deklaratë publike, por duhet me pas përkrahje të klubeve. Një dëshirë për ndryshim nga ana e klubeve ekziston. Edhe kandidimi eventual duhet me qenë burim i vullnetit të klubeve, por për momentin është ende herët me u prononcu”, vlerësoi Gramozi.

Sipas tij secili individ që mendon dhe pretendon se mund të japë kontribut në futbollin tonë, por që ka mbështetje nga klubet, ka të drejtë ta pretendojë postin e kryetarit.

“Po e  potencoj edhe njëherë, secili pretendent për kandidat që është në gjendje me gjet përkrahje dhe prezanton një program serioz në interes të futbollit është i mirëseardhur në këtë garë”, ka përfunduar Gramoz Vokrri. /Demokracia.com