Vojvoda e ka bindur Torinon, titullar në të djathtë është ai

Mbrojtësi i djathtë e nisi mirë sezonin, por së fundmi pati rënie të formës. Sidoqoftë, për momentin titullar tek Torino mbetet përfaqësuesi kosovar. Megjithatë, ai duhet të punojë fort për ta ruajtur këtë pozitë pasi ka konkurrencë në ekip

Mërgim Vojvoda ishte njëri prej përforcimeve të Torinos në afatin e fundit kalimtar, duke iu bashkuar klubit italian nga Standard Liege, si përforcim në krahun e djathtë.

Dhe, mbrojtësi kosovar menjëherë ka gjetur hapësira në Torinon e re të trajnerit Marco Giampaolo.

Pasi ishte inkuadruar në lojë në minutat e fundit në Firenze, qysh në ndeshjen e xhiros së dytë kundër Atalantas e nisi lojën si titullar, ndërsa e dhuroi edhe një asistim për Andrea Belottin.

Më pas, përfaqësuesi kosovar u konfirmua në nivele edhe më të larta kundër Sassuolos, një tjetër ndeshje ku la shenja të mira, duke shfaqur siguri edhe në fazën defanzive.

Ndërsa, ai i bëri disa hapa prapa në humbjen nga Lazio, ku vuajti maksimalisht në fazën defanzive.

Në paraqitjen e tij me Genoan pati përsëri probleme, kur u zëvendësua me Sinhon.

E kundër Crotones ka ardhur ndoshta paraqitja e tij më e dobët me fanellën “Granata”, në të cilën hasi në vështirësi dhe i humbi disa topa.

Pra, ishte një sezon i nisur mirë dhe më pas një rënie në ndeshjet e fundit për futbollistin kosovar.

Mirëpo, për momentin titullar në krahun e djathtë të Torinos mbetet ai, Mërgimi.

Sidoqoftë, ai nuk duhet të rrijë i qetë pasi presion po i bën konkurrenti direkt, Singo, i cili ka shfaqur paraqitje pozitive.

Vojvoda duhet të dijë ta ruajë pozitën e titullarit me paraqitje të mira në vazhdimësi.

Deri tash, ai i ka luajtur 7 ndeshje, ndërsa portali italian “torinogranata.it” e vlerëson atë me notën 6.

Për momentin, futbollisti drenicas është i grumbulluar me ekipin kombëtar të Kosovës, me të cilin do të ketë angazhime në Ligën e Kombeve në ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë.