Vlora Çitaku

Vlora Çitaku: Raporti i DASh-it dhe Freedom House, paraqesin pamje të zymtë për shtetin

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të raportit të Freedom House.

Ajo ka shkruar në rrjete sociale se ky raport dhe ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, paraqesin pamje të zymtë për Kosovën.

Postimi i plotë:

Dy raporte të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën brenda dy ditëve. Të dyjat, mes problemeve tjera të shumta, godasin korrupsionin serioz qeveritar në Kosovë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar dje, dhe ai i FreedomHouse i publikuar sot – janë tejet shqetësues dhe duhet të shërbejnë si alarm zgjimi për Qeverinë.

Mos të harrojmë – kemi hyrë në vitin e katërt të qeverisjes Kurti. Dhe, përmes vlerëismit ndërkombëtar, jo atij të brendshëm opozitar, rezultati është korrupsioni, ndërhyrja në drejtësi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Kaq për shpresën e premtuar!

Këto raporte, para të cilave nuk guxojmë të mbyllim sytë, kërkojnë veprime të menjëhershme dhe jo fjalë e justifikime – pasi ato godasin vetë thelbin e vlerave dhe parimeve tona demokratike.

Gjetjet e këtyre dy raporteve paraqesin një pamje të zymtë të shtetit tonë – që relfketon keq dhe dëmton imazhin e Kosovës në botë.

Një gjyqësor që i mungon pavarësia, kufizime të rënda në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, korrupsionin e shfrenuar qeveritar, dhuna e përhapur me bazë gjinore – nuk janë pamja ideale e një shteti që synon integrimin euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Qeveria duhet të kuptojë se këto nuk janë thjesht statistika apo probleme abstrakte; janë padrejtësi të jetës reale me të cilat përballen çdo ditë qytetarët tanë dhe bota po i sheh ato. Duke dënuar fuqishëm këto padrejtësi, PDK kërkon nga Qeveria adresimin e mënjehërshëm të këtyre probleme.

Krahas Qeverisë, ftojmë edhe organet e drejtësisë që të kryejnë me përgjegjësi dhe seriozitetin më të lartë detyrat e tyre – duke mos lënë ardhmërinë e shtetit tonë peng të një paaftësie të thellë politike.

Kjo është një betejë që duhet luftuar çdo ditë, nga të gjithë akterët që kanë pushtet ekzekutiv në vend. PDK, përmes të gjitha mekanizmave të saj, do të angazhohet që të shtyjë përpara reformat e nevojshme në ndërtimin e një Kosove ku çdo individ trajtohet me dinjitet dhe respekt.