Vlora Çitaku ngre alarmin| Berishaj ua ka vështirësuar punën edhe ambasadorëve tanë në vendet fqinje

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Çitaku në një konferencë për media, ka thënë se Berishaj ua ka vështirësuar punën edhe ambasadorëve të tjerë kosovarë, mbështetja e të cilëve është e nevojshme për anëtarësim në Këshillin Evropian.

“Qeveria dhe presidenca nuk janë as gjykatës, as prokurorë. Ata duhet të ndërmarrin hapa institucionalë dhe politikë, shkarkimin e menjëhershëm të Berishajt si ambasador. Unë ju them me bindje të plotë që nga dje, Berishaj nuk do të jetë në gjendje ta ushtrojë detyrën e tij, fatkeqësisht ua ka bërë të vështirë punën edhe ambasadorëve tanë në vendet fqinje, mbështetja e të cilëve është e domosdoshme për anëtarësim në Këshillin Evropian”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Uran Ismaili në këtë konferencë ka kërkuar që të krijohet Komisioni Hetimor, nismë të cilën pushteti po e refuzon vazhdimisht.

Të mërkurën televizioni slloven, Planet Tv, raportoi se rreth 600 mijë euro cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni dhe se rolin e “mushkës” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Sipas këtij televizioni, në xhirollogarinë MB Consulting, në pronësi të Berishajt të regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

Lidhur me rastin sot ka reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili ka paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, në një përgjigje ndaj një gazetari, sot fillimisht e cilësoi si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.