Vlora Çitaku

Vlora Çitaku në përkrahje të kuvendares që u “fye” nga kryetari Haskuka me fjalët “rrugaçe”

Nënkryetarja e PDK-së, ish ambasadorja Vlora Çitaku ka reaguar ndaj gjuhës fyese të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ndaj asambleistës së PDK-së në Prizren, Sherife Balaj. Nënkryetarja Çitaku ka dalur në mbrojtje të saj duke postuar një foto me mbishkrimin “Me Sherife Balajn, kundër fyerjeve të grave”.

Dje, Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka fyer me shprehjen “rrugaçe” në seancën e Kuvendit Komunal, asambleisten Sherife Balaj, në mbrojtje të cilës kanë reaguar aktivistë, shoqëria civile dhe shumë akterë të tjerë relevant, duke e quajtur të papranueshme fyerjen ndaj një kuvendare grua.

Po ashtu, dega në Prizren e PDK-së ka reaguar duke bërë thirrje për reagim nga partitë e tjera politike, aktivistet gra e nga shoqëria civile që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal.

“Shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare “rrugaçe” është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive. Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit” thuhet në reagim.