Reagim

Vlora Çitaku i reagon Ministrit Aliu: Nuk mundesh me e dashtë Shqipërinë duke e urrejtë Kosovën

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit Liburn Aliu, i cili tha mbrëmë se “Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm”.

Çitaku ka thënë se “nuk mundesh me e dashtë Shqipërinë duke e urrejtë Kosovën”.

“Qeveritë janë të përkohshme. Kosova është e përjetshme”, ka shkruar tutje ajo.

Ndryshe, Aliu tha se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

”Unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”.

“Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, ka thënë Aliu.