Vlora bëhet gati për sezonin turistik, mirëpret kosovarët

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tregoi për vështirësitë që patën verën e kaluar në industrinë e turizmit.

Leli në një intervistë për Klan Kosova falënderoi kosovarët që vizituan brigjet e Shqipërisë vitin e kaluar teksa i mirëpriti edhe këtë verë.

“Ka qenë një vit i vështirë jo vetëm për Vlorën por për gjithë planetin. Industria e turizmit pati problemet e veta në verën e shkuar megjithatë mund të them që falë bashkëpunimit të shkëlqyer të shqiptarëve në breg të detit dhe atyre matanë bjeshkëve them se industria e turizmit mbijetoi”.

“Pati një numër të konsiderueshëm të vizitorësh nga Kosova të cilët vizituan brigjet shqiptare në verën e shkuar dhe falë situatës shumë të përmirësuar të COVID-19 në territorin e Shqipërisë dhe falë politikave të rëndësishme nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për vaksinimin e popullatës – jam duke shpresuar fort që sezonin turistik i këtij viti të jetë një sezon e suksesshme që padyshim do të respektojë rregullat e pandemisë pos se do të jetë edhe një frymëmarrje për industrinë e hoteleri-turizmit”, tha Leli.

Leli mes tjerash tregoi edhe për masat kundër COVID-19 teksa theksoi se vaksinimi masiv në Shqipëri premton sezon turistik të mirë për të gjithë.

“Çdo protokoll që do vijë nga Ministria e Shëndetësisë ditë pas dite do të ketë vëmendjen e Bashkisë së Vlorës dhe gjithë industrisë turistike këtu. Do të ketë respektim rigoroz të çdo mase të propozuar por mbes shpresëplotë se situata shumë e përmirësuar e pandemisë falë vaksinimit të popullatës dhe një dimri që ishte i vështirë them se do të ketë kushte shumë më të mira për vizitorët për të kaluar pushime të shëndetshme do të thosha në Bashkinë e Vlorës por edhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Leli.