“Vlon” edhe Daçiqi, deklaratën e Haradinajt për Vuçiqin e quan “kulmi i hipokrizisë”

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka reaguar pasi Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do ketë leje për futje në Kosovë, derisa shteti i tij të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

Daçiq tha se deklaratat e ministres janë kulmi i vrazhdësisë dhe hipokrizisë.

“Deklaratat e të ashtuquajturës Ministres e Punëve të Jashtme të Kosovës se presidentit serb Aleksandar Vuçiq do t’i ndalohet të hyjë në Kosovë derisa ai të kërkojë falje për gjenocidin janë kulmi i vrazhdësisë dhe hipokrizisë së Prishtinës”, ka thënë Daçiq për ministren Haradinaj-Stublla.

Daçiq tha se me ndalimin e hyrjes së Vuçiqit, Kosova shkeli edhe marrëveshjet e Brukselit dhe të Washingtonit, shkruan Tanjug.

“Kjo nuk është vetëm një shkelje e marrëveshjes së Brukselit, por edhe marrëveshjes së Washingtonit, sipas së cilës Prishtina pranoi që të hyjë në Mini-Shengen, e cila nënkupton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit”, tha ai.