Vlera e Kosovës dhe pesë kundërshtarëve në Grupin I: Vetëm Zvicra ka futbollistë më të shtrenjtë

Përfaqësuesja e Kosovës ka mësuar emrat e kundërshtarëve që do t’i ketë në grup për kualifikimet e Kampionatit Evropian ‘Euro 2024’.

Në qytetin e bukur Frankfurt të Gjermanisë është hedhur shorti, teksa Kosova ndodhet në një grup me gjashtë skuadra.

Dardanët janë shortuar në Grupin I së bashku me Përfaqësuesen e Zvicrës, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën që vjen nga vazo e fundit.

Është një grup i favorshëm për Dardanët pasi përveç Zvicrës që është njëra nga Përfaqësueset më të respektuara në Evropë, nuk ka superfuqi të tjera që do të përballemi me ta.

Zvicra si përfaqësuesja nga vazo e parë ka edhe vlerën më të lartë të ekipit, derisa menjëherë pas tyre është Kosova.

Telegrafi më poshtë u sjell vlerat e gjashtë përfaqësueseve nga Grupi I:


ZVICRA 

Përfaqësuesja e Zvicrës është më e shtrenjta në Grupin I me vlerën prej 192,20 milionë euro nga grumbullimi i fundit.

Helvetikët udhëhiqen nga legjenda e tyre Murat Yakin, derisa kapiten i Përfaqësueses është prishtinasi Granit Xhaka.

Lojtari me vlerën më të madhe te Zvicra është mesfushori i Chelseat, Denis Zakaria me 27 milionë euro, derisa pas tij vijnë Granit Xhaka me 25 milionë dhe Djibril Sow me 22 sosh.

Aktualisht Përfaqësuesja e Zvicrës ndodhet në vendin e 15-të në ranglistën e FIFA-s.


IZRAELI

Përfaqësuesja e Izraelit ka bërë një hap të madh viteve të fundit dhe tani janë në vazon e dytë.

Pasi arritën të dalin të parët nga Grupi në Ligën e Kombeve, Izraeli tani përballen me Kosovën në grup pas përballjes me Shqipërinë javë më parë.

Izraelitët luajnë shumë mirë si grup dhe nuk janë një Përfaqësuese që kanë shumë yje brenda tyre.

Vlera totale e Përfaqësueses së Izraelit arrin në 12,25 milionë euro, derisa trajneri i tyre është Alon Hazan.

Futbollisti më i shtrenjtë i vendasve është sulmuesi i Valladolid, Shon Weissman me vlerë prej tetë milionë euro, derisa pas tij është anëtari i Celtic, Liel Abada me 500 mijë euro më pak.

Përfaqësuesja e Israelit ndodhet në pozitën e 76-të në ranglistën e FIFA-s.


RUMANIA

Romania dikur ka qenë një përfaqësuese shumë e respektuar në Evropë dhe me emra të mëdhenj që kanë luajtur për ta, por viteve të fundit ndryshimi i gjeneratës ka bërë që ata të mbesin në vazon e tretë.

Gjithsesi rumunët kanë në radhët e veta futbollistë kryesisht të rinj dhe janë shumë premtues për të ardhmen.

Vlera totale në muajin e fundit në ‘Transfermarkt’ për rumunët ka qenë 76,35 milionë euro, derisa ata i udhëheq trajneri Edward Iordanescu.

Futbollisti më i shtrenjtë në ekipin përfaqësues të Rumanisë është Razvan Marin i Empolit që kushton nëntë milionë euro, derisa pas tij vije Alexandru Cicaldau me 7,5 milionë euro dhe Dennis Man i Parmës me 6,5 milionë.

Rumunët ndodhen në vendin e 53-të në ranglistën e shtëpisë më të madhe të futbollit botërorë FIFA.


KOSOVA

Përfaqësuesja e Kosovës në Grupin I është përfaqësuesja më e re, pasi jemi të pranuar dhe marrim pjesë në kualifikime vetëm nga viti 2016.

Dardanët kanë bërë rritje të mirë viteve të fundit dhe synojnë që të jenë befasia e këtij grupi.

Vlera momentale e Dardanëve është më e larta pas asaj të Zvicrës në këtë grup nga grumbullimi i fundit, pasi janë vlerësuar me shumën 81,65 milionë euro.

Kosova udhëhiqet nga trajneri francez Alain Giresse, derisa futbollistët më të shtrenjtë janë kapiteni Amir Rrahmani me 25 milionë, Vedat Muriqi me nëntë milionë dhe Milot Rashica me shtatë.

Në ranglistën e re të FIFA-s, Kosova ndodhet në vendin e 107-të në botë.


BJELLORUSIA

Bjellorusia është një përfaqësuese shumë e re pasi njësoj si rumunët edhe këta janë duke ndryshuar gjeneratën.

Bjellorusët nuk kanë arritur ndonjë sukses të madh viteve të fundit dhe ndodhen në vazon e pestë të UEFA-s.

Vlera totale e ekipit përfaqësues të bjellorusëve është 12,65 milionë euro nga grumbullimi i fundit, apo dy herë më e vogël se e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmanit.

Kjo përfaqësuese udhëhiqet nga trajneri Georgiy Kondratjev, derisa futbollistët më të shtrenjtë janë kapiteni Evgeniy Yablonsky e Maks Ebong me nga 1,2 milionë euro vlerë, derisa lojtari i tretë më i shtrenjtë është Danila Nechaev me 800 mijë euro.

Në ranglistën e fundit nga FIFA, Bjellorusia zë vendin e 97-të.


ANDORRA

Andorra është përfaqësuesja më e dobët në këtë grup, përfaqësuese që shikohet nga tjerat si më e lehta për t’i marrë pikët e plota.

Vlera totale e këtij ekipi pëfaqësues është vetëm 1,68 milionë euro.

Trajneri vendas Koldo Alvarez e udhëheq Përfaqësuesen, derisa lojtarët më të shtrenjtë janë Iker Alvarez me 300 mijë euro, Marc Vales dhe Jesus Rubio me nga 200 mijë.

Në ranglistën e fundit nga shtëpia më e madhe e futbollit botëror FIFA, Andorra ndodhet në pozitën e 151-të në botë.