Bitcoin

Vlera e Bitcoin pëson një “rënie të mprehtë” pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit

Tensionet midis Iranit dhe Izraelit u përshkallëzuan të shtunën mbrëma pasi Irani filloi sulmet kundër Izraelit.

Si pasojë, raportojnë mediat e huaja, edhe çmimi i Bitcoin shënoi një rënie të mprehtë.

Bitcoin ishte tregtuar me rreth 70,000 dollarë të shtunën në mbrëmje, por ra deri nën 62,000 dollarë, sipas të dhënave nga bursa Bitstamp.

Deri të dielën në mëngjes ajo ishte rikuperuar për të tregtuar mbi 64,000 dollarë.

Ndryshe, Izraeli njoftoi se neutralizoi 99% të 300 kërcënimeve të identifikuara që synonin territorin e tij ndërkohë që ushtria e Iranit shpalli përfundimin e operacionit të Teheranit pa veprime të mëtejshme.

Presidenti i SHBA Joe Biden dënoi sulmin e Iranit, duke e cilësuar atë “të paprecedentë” dhe bëri thirrje për një përgjigje të koordinuar diplomatike me udhëheqësit e G7.

Armiqësitë e fundit pasojnë tensionet e rritura midis Iranit dhe Izraelit, veçanërisht që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor.

Akuzat dhe kundërakuzat janë përshkallëzuar, me Iranin që akuzon Izraelin për një sulm ndaj konsullatës së tij në Damask më 1 prill.