Dhjetëra organizata jofitimprurëse ruse i janë lutur presidentit, Vladimir Putin, që ta anulojë një ligj, i cili do t’i lenë pa strehë shumë jetimë dhe persona të sëmur rëndë që nuk kanë mbështetje.

Ligji i Ministrisë së Drejtësisë i shtetit të Rusisë, parasheh që t’i përkufizojë financimet e OJQ-vë nga fondet e huaja, veprim ky në kuadër të masave shtrënguese që ka ndërmarr Putin për ta ndaluar financimin e mediave dhe OJQ-ve, duke i konsideruar si “agjendë të huaj”.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Rusi argumentojnë se ky vendim do të ketë pasoja katastrofike për një pjesë të shoqërisë që janë të pambrojtur dhe pa mbështetje. Një grup i OJQ-vë ia drejtuan një letër Putinit duke i kërkuar që ta anulonte këtë vendim.

“Ne ju kërkojmë që të urdhëroni ndryshime në këtë vendim, sepse do të ketë pasoja shumë të rënda”, thuhet në deklaratën e grupit të OJQ-ve “Vse Vmeste” (Të gjithë së bashku). Në një deklaratë të mëvonshme Ministria e Drejtësisë tha se po punonte për vendosjen e një ekuilibri midis rregullave të reja dhe “nevojës për të promovuar zhvillimin e shoqërisë civile”.

Urdhri i Ministrisë së Drejtësisë do të hyjë në fuqi prillin e këtij viti. OJQ-të përballen me gjoba të larta në rast se nuk i respektojnë rregullat e reja, e pasojat më të rënda mund të jenë edhe mbyllja. Këto veprime kanë dhënë alarm edhe tek organizatat e huaja që merren me të drejtat e njeriut. Në një deklaratë publike rrjeti i organizatave botërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ka reaguar ashpër, duke e konsideruar këtë veprim si jo human dhe kundër vlerave njerëzore.

“Ky veprim është jo human dhe nuk përkon me vlerat njerëzore. Shpresojmë që shqetësimet e OJQ-ve ruse të merren parasysh nga bota demokratike”, thuhet në reagim. Ndryshe, Putin ka filluar t’i fuqizojë një sërë masash të reja për t’i kontrolluar më mirë edhe media edhe Shoqërinë Civile, shkaku i rritjes së protestave të opozitës. Putin po përballet me sanksione nga BE-ja dhe SHBA-ja për shkak të burgosjes së opozitarit, Navalny dhe shumë aktivistëve të tjerë.