Vjosa pyetet nëse ka marrë fund koalicioni me VV-në, thotë disa fjalë për një shans të fundit

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, duket se është prej të rrallëve në LDK që beson se koalicioni me VV-në ka ndonjë shans.

E pyetur nga gazetarët nëse diskutimet me VV-në po shkojnë drejt fundit, ajo ka thënë se shpreson që të dyja palët do të hapin dyert për një shan të fundit.

“Jo nuk janë mbyllur dyert. Pra, përderisa ka vullnet dyert mund të ri-hapen dhe unë shpresoj që të rihapen ato. Kjo çështje po ndryshon në baza ditore, kështuqë siç e kam thënë unë gjithnjë synoj të shkoj nga optimizmi dhe po shpresoj që nga sot të dyja partitë të bëjnë hapa pozitiv drejt rihapjes së dyerve të bashkëpunimit, për tí dhënë një shansë të fundit arritjes së marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë Osmani para mediave.

Ndërkohë, edhe kreu i LDK-së dje u bëri thirrje VV-së që të mos nguten dhe të diskutojnë pasi, sipas Mustafës, mund të gjendet ndonjë zgjidhje.

Sidoqoftë, nga VV-ja nuk ka ndonjë indikacion se gjërat mund të përafrohen. Së fundmi, Albin Kurti i dërgoi një letër jo shumë miqësore Mustafës, ku fliste për veprime monarkiste dhe diktaroriale.

Thirrjet për krijimin e institucioneve, ndërkaq, nuk kanë të ndalur. Ndërkombëtarët po potencojnë se funksionalizimi i tyre është i domosdoshëm.