Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila në legjislaturën e kaluar kritikonte udhëheqësit e Kuvendit për mos menaxhim adekuat të legjislativit, po dështon shumë keq në menaxhimin e punës së Kuvendit.
Për kaq pak kohë sa e ka marrë detyrën ta drejtoj Kuvendin, Osmanit i është përzier komplet menaxhimi duke ftuar çdo javë Kryesinë për tu përpjekur ti mbarojë seancat që i kanë mbetur të papërfunduara.
Aktualisht Kuvendi i Kosovës i ka të papërfunduara 20 seanca plenare me shumë pika në rend dite të cilat vazhdojnë të dështojnë ta marrin epilogun nga deputetët. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani edhe për të hënën ka ftuar mbledhjen e Kryesisë ku në rend dite ka vetëm pikat e rendit të ditës nga dhjetë seanca të muajve të kaluar.
“I. Pika e papërfunduar nga Seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16 dhe 29 tetor 2020: II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12, 16 dhe 29 tetor 2020: III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 16, 21 dhe 29 tetor 2020: IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 21 dhe 29 tetor 2020: V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 29 tetor, 2 dhe 3 nëntor 2020”, thuhet në rendin e ditës që ka dërguar Kuvendi i Kosovës për mbledhjen e Kryesisë që mbahet nesër.








