Vjosa Osmani sulmoi gardën e vjetër në takimet e mbyllura në Gjermani, ky është problemi i vërtetë i lidershipit të LDK-së me të

Nuk është vetëm fotografia e djeshme e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtin, duke u regjistruar si deputetë bashkërisht, ajo që e ka irrituar lidershipin e LDK-së në Vjosa Osmanin.

Por, janë edhe deklaratat e saj në takime të mbyllura me diplomatë e politikanë të afërt me Merkelin në Gjermani.

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, fotografinë e djeshme të Osmanit dhe Kurtit nuk e ka parë aspak si rastësi, por e ka konsideruar si presion për të lidhur marrëveshje me Vetëvendosjen, duke thënë se “rastësi” të tilla vetëm sa prishin punë.

Po ashtu, mësohet se disa figura brenda LDK-së, këtë fotografi të shkrepur fshehurazi e kanë parë edhe si kurth të Vetëvendosjes për Osmanin, për ta përçarë edhe më shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila po heziton të bëhet pjesë e qeverisë nga frika e “bluarjes” politikisht nga ana e Kurtit, që kandidaten e LDK-së për kryeministre po e përdor shumë mirë politikisht për jetësimin e agjendës së tij. Por, kjo nuk është e gjitha, pasi që lideri i LDK-së, Isa Mustafa, nënkryetarët Veliu e Haziri, si dhe një mori e strukturave të vjetra të LDK-së, janë të irrituar në Vjosa Osmanin edhe për shkak të deklaratave që thuhet se ajo i ka thënë në takime të mbyllura gjatë vizitës që kishte në Gjermani.

Edhe në takime me politikanë të CDU-së, por edhe në Bundeskanleramt, lidershipi i LDK-së e ka kuptuar se Vjosa Osmani e ka portretizuar veten si lidere të vërtetë në LDK dhe e ka quajtur Mustafën si pensioner të paaftë, i cili është në fund të karrierës së tij politike.

Madje, siç mësohet nga burime brenda LDK-së, Vjosa Osmani iu ka thënë njerëzve të afërt me Merkelin, se Isa Mustafa dhe nënkryetarët Veliu e Haziri janë pengesat kryesore për arritjen e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, nga frika e fuqizimit të Osmanit si lidere e ardhshme.

Megjithatë, përkundër këtyre armiqësive të brendshme politike, mësohet se Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë afër pranimit të marrëveshjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe meritore më së shumti e afrimit është Vjosa Osmani dhe presioni ndërkombëtar që lidershipit të LDK-së po i vjen nga ndikimi i saj.