Ambasada e Republikës së Austrisë në Bosnje dhe Hercegovinë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me deklaratat e djeshme të presidentit të entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke vlerësuar veprimet e tij si kërcënim serioz për stabilitetin, rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Austria, në koordinim të ngushtë me partnerët e tjerë evropianë, mori masa vendimtare kundër politikanëve përgjegjës nga entiteti Republika Srpska,” njoftoi ambasada, transmeton Ballkani.info.

Ambasada konfirmoi se masat dypalëshe që ndalojnë hyrjen dhe transitin përmes Austrisë janë në fuqi për Presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Nenad Stevandiq dhe kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Vishkoviq.

“Qëllimi është të dërgohet një sinjal i qartë politik dhe të ofrohet mbështetje për të gjitha forcat pro-evropiane. Austria do të vazhdojë të mbështesë aktivisht përpjekjet e tyre në rrugën e Bosnje-Hercegovinës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” u theksua në komunikatë.

Ambasada thekson veçanërisht rëndësinë e perspektivës evropiane për qytetarët e njësisë së RS, duke theksuar se “disa politikanë nuk mund të ndalojnë rrugën e tyre drejt së ardhmes evropiane”.

Kujtojmë se Milorad Dodik dje shkaktoi një valë reagimesh në opinionin vendas dhe ndërkombëtar për fjalimin e tij plot fyerje, pretendime historikisht të pabaza dhe retorikë shoviniste.

Thirrje boshnjakëve që “të kthehen në besimin ortodoks”

Në fjalimin e tij, ai tha, ndër të tjera, se Bosnja dhe Hercegovina “po shpërbëhet”.

Siç shkruan Klix.ba, pjesa më skandaloze e fjalimit ishte thirrja e drejtpërdrejtë e Dodikut drejtuar boshnjakëve për t’u “rikthyer në besimin ortodoks”, me pretendimet se Bosnja dhe Hercegovina atëherë do të ishte “shumicë serbe” dhe se “vetëm të tillë mund të ekzistonin”.

“Zgjidhja për BeH është kjo: që myslimanët të kthehen në besimin e tyre të vjetër ortodoks. Ne po përpiqemi të bëjmë sugjerime konstruktive. Ka prova që paraardhësit tanë u konvertuan në Islam nën detyrimin osman. Kjo është arsyeja pse kjo është një zgjidhje e saktë për mua,” tha Dodik.

Deklaratat e tij kanë provokuar dënime të ashpra, me analistë të shumtë që paralajmërojnë se kjo lloj retorikë përbën një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën në Bosnje dhe Hercegovinë. /Ballkani.info/