Vjen një lajm shumë i mirë për personat me sklerozë multiple në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli ka nënshkruar kontratën e parë për furnizim me Interferon- Beta 1a, terapi kjo për të prekurit nga Skleroza Multiple.

“Meqenëse kjo terapi nuk ka qenë më herët pjesë e listës esenciale, shumë familje kosovare të prekura nga kjo sëmundje e rrallë janë varfëruar si pasojë e shpenzimeve të larta. Nga sot, ata nuk do të kenë nevojë që ta blejnë më atë por do ta marrin falas në institucionet tona shëndetësore”.

“Për më tepër, edhe terapia e Ocrelizumab është në procedurë të blerjes. Shumë i lumtur me efektet e para të Listës së re të Barnave Esenciale”, shkruan ai në Facebook.

Skleroza Multiple prek trurin dhe palcën kurrizore, duke e shkatërruar mbështjellësin e fijeve nervore.

Simptomat e zakonshme të kësaj sëmundjeje janë: çrregullimi i shikimit, dhembja dhe mpirja e gjymtyrëve, vështirësitë në koordinim, dobësimi i muskujve, lodhja, çrregullimi i disponimit dhe çrregullimi në jashtëqitje dhe urinim.

Në Kosovë janë të prekur rreth 1300 persona me sëmundjen e sklerozës multiple.

Deri më tani, vetëm 100 prej tyre kanë marrë terapi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Neurologjike.