Izraeli

Vjen ‘krisja’ e parë: Gantz i kërkon Netanyahut të tërhiqet nga deklaratat se s’ka pasur njoftime për sulmin e Hamasit

Vetëm dy javë pas formimit të një qeverie emergjence në Izrael, ka ardhur edhe krisja e parë mes dy personave kyç, kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe drejtuesit të opozitës, Benny Gantz.

Sipas këtij të fundit, ka ardhur koha që Netanyahu të tërhiqet nga deklaratat se nuk ka pasur njoftime e paralajmërime për sulmin e përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.

“Kryeministri duhet të tërhiqet nga komentet e djeshme, lidhur me faktin se shërbimet e sigurisë nuk kanë marrë asnjë paralajmërim, se Hamasi po kërkonte të fillonte një luftë”, shtjelloi Gantz.

Netanyahu ndërkaq, dha një deklaratë tejet të paqartë sa i takon situatës, duke përmendur edhe se “ai nuk e di me siguri nëse Irani qëndron apo jo pas sulmit të Hamasit”.

Megjithatë, përforcoi se “pa Iranin, nuk ka Hamas”.

Edhe më parë, menjëherë pas sulmit, i cili e kapi në befasi Izraelin, Netanyahu u përfshi në një debat në distancë me autoritetet egjiptiane, të cilat disa herë theksuan se e kishin paralajmëruar Izraelin për një goditje të fuqishme të Hamasit.

Por, shteti hebre me në krye Netanyahun nuk e pranoi se ka pasur në realitet paralajmërime të tilla, lidhur me një sulm aq masiv, sa ai i Hamasit.