Vjedhje e rëndë në një market në Malishevë, aktakuzë ndaj rojës së marketit dhe tre të tjerëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve B.M., B.M., Sh. B., dhe A.M., për veprën penale “vjedhje e rëndë në bashkëkryerje”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje kanë hyrë në marketin ‘Dushi’ në Komunën e Malishevës, duke vjedhur pako të cigareve në vlerë prej 2.000 euro, arkën e marketit në vlerë 500 euro dhe 35 mbushje të operatorëve të ndryshëm telefonikë. Tre të akuzuarit B.M., B.M., dhe Sh. B., kishin bërë marrëveshje paraprake me të akuzuarin A.M., i cili atë kohë ishte edhe roja e marketit në fjalë”, thotë Prokuroria Themelore në Gjakovë, raporton Koha.net.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovës që të pandehurit të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.