Vizita e Rexhep Hotit në Novi Pazar “çmend” partinë e Vuçiqit: Po proteston bashkë me Gjilasin!

Anëtari i Kryesisë së SNS (Partia Përparimtare serbe), partisë së Aleksandar Vuçiqit, Goran Vesiq ka deklaruar se në protestën e sontme të liderit të opozitës serbe, Dragan Gjilas në Novi Pazar i është bashkuar edhe Rexhep Hoti.

Ai protestën “1 nga 5 milionë” që organizohet në tërë Serbinë çdo të shtunë kundër pushtetit diktatorial të Vuçiqit e ka quajtur “protesta e Gjilasit.

Sipas Vesiqit, Rexhep Hoti i cili është nënkryetari PDK-së dhe koordinator Nacional i Kosovës, ka marrë pjesë në protestën e mbajtur sonte, transmeton Ballkani.info.

“Zëvendësi i Kadri Veselit në parti i është bashkuar protestës dhe ky është konfirmim se demonstratat janë të shtirura, kështu që përmes Dragan Gjilasit, po financohen dhe janë të drejtuara në dobësimin e Serbisë”, ka thënë Vesiq.

“Demonstratat në Beograd, një muaj para se të fillonin, i ka paralajmëruar Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Vuçiqi do të rrëzohet nga rruga. Më pas, Gjilas, Jeremiq dhe Obradoviq i kanë nisur demonstratat. Ashtu siç po shuhen protestat, ata po përplasen ndërmjet veti. Nga sonte, Gjilasi, Jeremiqi, Boshko Obradoviq dhe Lutovac kanë marrë mbështetje nga Kosova”, ka shkruar Vasiq në Facebookun e tij.

Në fakt, kjo nuk mund të jetë e vërtetë, pasi që Rexhep Hoti sot ka qëndruar në Novi Pazar në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës.

Ai gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi dhe Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Hoti vizitën e parë e bëri në Këshillin Kombëtar Boshnjak ku u prit nga Sulejman Ugljanin anëtar i Këshillit, njëherit dhe president i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA), si dhe Enis Imamomviq, Deputet në Parlamentin e Serbisë.

Koordinatori Hoti theksori rëndësinë e vizitës në Sanxhak dhe prezantoi Programin Nacional për Rininë.

“Është nder për mua që sot zyrtarisht bashkë me delegacion po vizitojmë Sanxhakun. Sanxhaku është kërthiza e Ballkanit Perëndimor dhe është burim i stabilitetit. Ndaj mendimin se pa zgjidhjen e çështjes së Sanxhakut rajoni nuk mund të gjejë paqen. Kam ardhur këtu që të prezantoj Programin Nacional për Rininë i cili është hartuar për nxënës të të gjitha komuniteteve, duke përfshirë edhe komunitetin boshnjak, jo vetëm në Kosovë. Uroj që bashkëpunimi jonë të fillojë të thellohet duke filluar nga nxënësit”, tha Hoti. /Ballkani.info/