Vitin tjetër Tirana me autobusët elektrikë

Studentët që kanë ardhur në Tiranë për të ndjekur studimet e larta do të marrin edhe një broshurë mirëseardhjeje nga Bashkia e Tiranës, e cila do t’u shërbejë si një guidë për të njohur qytetin. Prezantimin e saj e bëri kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një takim me studentët, i cili tha se kjo guidë do t’ju vijë në ndihmë studentëve të rinj që kanë nisur këtë tetor universitetin.

Veliaj i njohu banorët më të rinj të Tiranës me disa nga mundësitë e shkëlqyera që ofron kryeqyteti, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për t’u angazhuar në projekte apo aktivitete vullnetare. Ai nënvizoi se Tirana sot ofron çdo ditë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore, duke i dhënë mundësi gjithkujt të gjejë veten e tij. Ndaj, Veliaj ftoi studentët e rinj që të frekuentojnë Parkun e Liqenit, Amfiteatrin e rindërtuar, apo aktivitetet e tjera që organizohen në kryeqytet.

“Na duhen vullnetarë dhe kur them vullnetarë, nuk flas për llaç e tulla. Na duhen vullnetarë që mund të shërbejnë si këshilltarë, si psikologë, si punonjës socialë, që dikush që mund të ketë kaluar një situatë të vështirë në familje, të mund ta rrëfejë ose të kërkojë ndihmë. Rrjeti ynë i vullnetarëve, pavarësisht profilit tuaj, qofshi sportiv, si Maratona e Tiranës, Triathloni, qofshi të profilit artistik, si Tirana Art Fest, apo edhe të profilit social, keni mundësi pafund. Patjetër që na ndihmoni, por jam i bindur se një vullnetar ndihmon edhe veten”, theksoi Veliaj.

Mandej, ai dha një lajm të mirë, jo vetëm për studentët, por për gjithë qytetarët e Tiranës, se vitin e ardhshëm do të vijë flota e parë e autobusëve elektrikë, që do të rrisë jo vetëm cilësinë e shërbimit, por do të ofrojë transport publik pa ndotje.

Po ashtu, i ftoi ata të përdorin më shumë biçikletën, duke qenë se në Tiranë korsitë e biçikletave janë kthyer në trend, sidomos pas ardhjes së Mobike.

“Vitin tjetër do fillojmë me autobusët elektrikë. Është një mënyrë shumë më komode për të përdorur transportin publik, sidomos tani që po bëjmë linjat e dedikuara jo vetëm për biçikletat, por duke filluar në unazë edhe për autobusët. Nëse doni të lëvizni në Tiranë është më mirë të përdorni një biçikletë”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi një lajm të mirë edhe vendimin për të hequr pikat e basteve nga qyteti, e për pasojë edhe nga Qyteti “Studenti”. “Kështu çunat do të kenë më shumë kohë për sport dhe më shumë para në xhep. Mezi pres të vijë 1 janari, që të lirohen edhe hapësirat e zëna me pika e biznese të tilla në Qytetin Studenti. Ato janë para që mund të shpenzoheshin shumë më mirë me sport, aktivitete, ekskursione”, u shpreh Veliaj.