Përderisa tërë vitin e shkuar, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtonin zëshëm një nënkryetar të Kuvendit nga radhët e Listës Serbe, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ndryshoi gjithçka.
Disa zyrtarë të Vetëvendosjes në deklarata të ndryshme ishin shprehur se s’kanë votë për propozimet e Listës Serbe. Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, në tetor pati deklaruar se kjo parti ka qëndrim të palëkundur për të mos i votuar kandidatët e Listës Serbe. Ngjashëm pati thënë në të njëjtin muaj edhe Glauk Konjufca që pati deklaruar se “VV-ja nuk ka kurrfarë vote për Listën Serbe”. E edhe më ashpër ishte shprehur deputeti Agim Bahtiri që pati thënë se “e pret dorën e nuk e voton Listën Serbe”.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi, edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.
Vendimi u kritikua nga akterë të VV-së, por një ditë më parë në mbledhjen përgatitore për seancën konstituive, kryetari i legjislaturës së nëntë Dimal Basha njoftoi se nënkryetarët do të bëhen në pako. Kjo pako e pesë nënkryetarëve, përfshirë Simiqin e Listës Serbe që vitin e shkuar votohej kundër, mori mbështetjen e 104 deputetëve.
Çështja e nënkryetarit të komunitetit serb ishte ndër arsyet e zgjatjes së bllokadës vitin e shkuar.
Kjo është kritikuar edhe nga Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai ka thënë se vitin e shkuar VV-ja e shpallte tradhtar secilin që kishte guxim të këronte zbatimin e vendimeve të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit.
“Sot e njëjta parti harroi krejt parimet e saj të bazuara në gënjeshtra, mashtrime publike në emër të patriotizmit fals dhe me votat e saj votoi Listën Serbe dhe Sllavko Simiqin nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. LVV dhe Albin Kurti sot do duhej të na tregonin se Lista Serbe a është terroriste?” ka shkruar ai në Facebook. “Albin Kurti dhe LVV e cenuan dialogun strategjik me ShBA duke sulmuar GJK për Listën Serbe dhe Sllavko SImiqin, kurse sot votuan njëzëri për ta. Me fjalë të tjera na humbën një vit me rrena në emër të patriotizmit dhe në fund përfunduan duke vallëzuar me Listën Serbe dhe Sllavko Simiqin”.







