Vitia-Zemajt: Nuk kam gjetur marrëveshjen e konfidencialitetit për vaksina, dokumentet nuk duhet të merren me vete

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, derisa ka thënë se nga ky i fundit nuk e ka gjetur në ministri marrëveshjen e konfidencialitetit për vaksina, e nënshkruar nga Zemaj në dhjetor të vitit 2020.

Ai ka thënë se në raportin që kanë kërkuar nga ish-kryesuesi i grupit negociator, u është dërguar një email me tre rreshta.

“Në raportin që kemi kërkuar nga kryesuesi i grupit negociator, na ka ardhur një email me 3 rreshta, me këtë kompani kemi pasur tre takime, me këtë dy me këtë një, pra kaq. Ato dokumente nuk janë tuajat, ato ishin të ministrisë dhe duhet të jenë. Ato nuk duhet të merren me vete. Në dokumentet që nuk i kam gjetur, fatkeqësisht nuk kam gjetur as marrëveshjen e konfidencialitetit që e keni nënshkruajtur në dhjetor të vitit 2020. Në këtë marrëveshje e dini se çfarë klasifikohet si konfidenciale”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se Zemaj nuk ka respektuar nënshkrimin e asaj kontrate ndonëse e ka marrë barrën për nënshkrimin e saj.